MENU
klinika

Belshi dhe Maliqi me rënie

Kamza dhe Saranda shënojnë rritjen më të madhe të bizneseve

08.06.2023 - 09:30

Numri i bizneseve u rrit gjithsej me rreth 5.5% në shkallë vendi, por në Bashkitë e Kamzës dhe Sarandës numri i bizneseve shënoi rritje sa dyfishi i mesatares kombëtare. Në anën tjetër, një seri bashkish të vogla panë rënie të numrit të bizneseve, ku Belshi, Maliqi, Patosi dhe Hasi kishin tkurrjen më të madhe.

INSTAT raportoi së fundmi se, Kamza ishte bashkia me rritjen më të fortë të numrit të bizneseve në vend, me rreth 11 % brenda në viti.

Me një popullsi të re në moshë afër kryeqytetit, Portit të Durrësit, Kamza duket se është bërë tërheqëse për bizneset. Kamza që është një ndër bashkitë më të mëdha për nga numri i popullsisë, raportoi rreth 3327 biznese në territorin e saj në vitin 2022, nga 2998 që ishin më 2021.

Pas Kamzës, Bashkia e Sarandës shënoi rritjen më të madhe të bizneseve të reja të regjistruara me 10.8% më 2022. Qyteti i vogël bregdetar, që vitet e fundit shënon një rritje të fortë të turizmit nga kërkesa e të huajve, raportoi 2280 biznese nga 2057 të tilla më 2021.

Kukësi dhe Himara gjithashtu panë rritje të fortë të bizneseve me mbi 10% vitin e kaluar. Rritja e bizneseve të reja ishte e lartë edhe në bashkitë e Memaliajit, Krujës, Tiranës, Vlorës dhe Durrësit nga 7-8%.

Në të kundërt, në disa bashki të vogla, numri i bizneseve ka shënuar rënie. Rënia vjen nga shpopullimi, pasi bizneset në bashki të vogla janë kryesisht të bazuara në tregti dhe shërbime. P.sh. në Bashkinë e Belshit, më 2022, u numëruan vetëm 560 biznese të ligjshme, me rënie 5,6% më e forta në të gjithë vendin.

Qyteti i vogël buzë një liqeni karstik pati një bum zhvillimi para disa vitesh për shkak të përmirësimit të infrastrukturës. Bumi i fortë i vizitoreve ka rritur bizneset në qytetin e vogël para pesë vitesh, por tani siç duket turizmi në këtë bashki është maturuar dhe bizneset i janë kthyer rënies.

Në bashkitë e Maliqit, Patosit dhe Hasit, rënia e bizneseve ishte me rreth 3% për secilën. Burimet vendore bëjnë të ditur se janë mbyllur bizneset e tregtisë për shkak të rënies së konsumit nga shpopullimi i zonave.

Nga 61 bashki në të gjithë vendin, në 15 prej tyre kishte rënie të numrit të bizneseve, në tre prej tyre nuk kishte ndryshim nga viti 2022 me 2021 dhe në 46 u raportua rritje.

Në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë janë përqendruar rreth 64,8% e ndërmarrjeve. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në Qarkun e Tiranës me 58.828 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.342 ndërmarrje. Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet.

Në qarqet Tiranë dhe Durrës janë përqendruar 57,8% e grupit të prodhuesve të shërbimeve.

Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar dhe shërbime të tjera. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 26,5% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2022.

Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 35,8%.

Rreth 85,6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 22,0% në punësim dhe 25,2% në realizimin e xhiros vjetore.

Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,6% të totalit të ndërmarrje, punësojnë 50,6% të të punësuarve gjithsej, dhe realizojnë 41,3% të totalit vjetor të xhiros./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"S'merr pjesën që i takon nga..."

“Kukësi po zbrazet nga emigracioni”

Përgatituni për pushime më të shtrenjta!

Destinacionet më të kërkuara për verën e 2023