Ende asnjë afrim, mbledhja që do të vulosë gjithçka Partizani ende nuk ka bërë asnjë afrim zyrtar, megjithëse ka pasur kontakte dhe negociata me disa lojtarë. Fakti që do të vijë një trajner i ri, i cili mund të ketë të tjera preferenca, i shtyn drejtuesit të përmbahen dhe të mos mbyllin zyrtarisht asnjë marrëveshje.
Për të qartësuar gjithçka, gazeta mëson së në dy ditët e ardhshme, drejtuesit do të ulen për të biseduar mbi çdo detaj në lidhje me rinovimet, ndryshimet dhe afrimet që do të bëhen në këtë verë. Shitjet do të kenë gjithashtu një vend të veçantë në këto diskutime, ku rol kryesor do të ketë edhe trajneri Zoran Zekiç, që të paktën deri më tani konsiderohet si trajneri i ardhshëm i Partizanit.
E sigurt është se lojtarët, që nuk kanë treguar nivelin e pritshëm në sezonin e shkuar, pritet të largohen, për të liruar buxhetet e pagave për të tjerët që pritet të vijnë. Plani është që të ndërtohet një skuadër, ku objektiv janë grupet e Ligës së Konferencës.