MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Kundera, e shkuara dhe vlera te PD-ja

09.06.2023 - 19:45

Është kaq e lexueshme mënyra sesi shprehet politika shqiptare, saqë shumë kohë përpara dihej kthimi i Bashës, kuptohej shumë mirë se Berisha ishte pas tij, dihet gati qartë se: PS-ja nuk mund të ekzistojë pa kryeministrin Rama dhe të gjitha lëvizjet e tij. Të gjithë flasin sesi në të ardhmen do të ndryshojnë në Shqipëri, por pa dhënë përgjigje për të shkuarën. Ose më saktë, të gjithë duan të ndërrojnë të shkuarën përmes të ardhmes.

Më shqetësuese nga të gjitha në politikë është fakti se flitet për opozitë dhe ajo kërkohet me ngulm te PD-ja, që tashmë zyrtarisht është e ndarë në tre pjesë fare të dukshme. Orientimi që ka sjellë PS-ja në zhvillimet e ndryshme e ka shndërruar vendin sipas përfytyrimit të tyre dhe kjo është e kuptueshme me këtë pushtet të pamatë, por ata kanë mundur ta shndërrojnë indirekt edhe PD-në. Tashmë ky formacion politik është i paqenë dhe mbi të gjitha në kërkim të vlerave, që ata vetë nuk i hasin kund. Në vend të përpjekjes për t’i gjetur ato dhe për të ngritur formacionin që lëngon prej vitesh, ata i janë dorëzuar absurditetit.

Vendi ka njohur një shndërrim të plotë, por PD-ja vazhdon e merret me luftën e brendshme, që e mbulon tashmë me një kauzë, përsëritur prej disa herësh: Vjedhja e zgjedhjeve! E drejtë si standart, e megjithatë, opozita akuzon për shumë e shumë gjëra të tjera, jo pak herë drejt, por artikuluar në gojën e disa individëve që lenë shumë për të dëshiruar. Në këtë rast, këtë konfuzion, nuk mund ta ndihë më as edhe një program politik, pasi idetë duhet të kultivohen dhe duhet të mbrohen në të tashmen, jo në të ardhmen. Rasti i përplasjeve të shkuara në godinën e PD-së, janarin e shkuar dhe çudia si e mbron të gjithë aktin Berisha; i gjithë procesi i ardhjes së Bashës; lufta pa asnjë shans ngritje në vendin e Partisë Demokratike (Legale) dhe përdhosja që po i bëjnë institucionit opozitar nuk premton as edhe një të ardhme. Të mendosh se: në rast se do të respektoheshin vlerat: ato do të kishin sjellë deri diku paqë, autoritet të vërtetë dhe një sens komuniteti, siç mëton në një libër të tij ideologu i konservatorëve Scruton për karakterin e vlerave. Në këtë logjikë e kupton edhe këtë gjëndje te PD-ja.

Vlerat nuk na jepen në përparësi, por na sfidojnë që t’i zbulojmë, më saktë: vlerat na shpërhapen para syve kur përpiqemi sëbashku. Partia Demokratike (Legale) e humbi me përpjekjen e zgjedhjeve të fundit, kur nuk kuptuan se vlerat duken kur bashkohen drejt një qëllimi të madh të përbashkët. PD-ja e Rithemelimit me kaosin dhe narracionin e saj. E, kjo ndodh kur mëton të kapësh me ngulm të ardhmen, ndërkohë që PD-ja, si grup politik, është peng i së shkuarës së vet.

Ajo që po e vret më shumë të Djathtën shqiptare është se nuk bashkohen tek një mendim dhe të kenë mundësinë të ndjekin një model. Ky është roli i atyre që drejtojnë dhe dinë të frymëzojnë për të krijuar modele. E ky për fatin e keq s’është më i identifikueshëm në asnjë nga figurat që PD-ja po oferton për të ardhmen e vet. Berisha, Basha, Bardhi, Noka, e shumë të tjerë jo vetëm nuk e shpërfaqin vlerën por indirekt e fshijnë me gjuhën e urrejtjes dhe dhunës. Mbase, kjo do jetë sfida e padukshme e PD-së, gjetja e njeriut që do t’i drejtojë kah vlerave ku duhet të mblidhen. Veçse, zëri i intelektualëve nuk është i mirëpritur, ashtu si zëri i të pavarurve. Në vend të kësaj ka mbetur kakofonia për të gjetur mundësinë që individët të kenë dhe një ulëse në parlamentin e ardhshëm, sepse të gjithë duan t’i shpëtojnë të shkuarës. Kundera me atë zgjuarsinë e shqisës së njeriut të letrave e kuptoi më së miri këtë lloj gjëndje: “Njerëzit gjithmonë bërtasin se duan të krijojnë një të ardhme më të mirë. Kjo nuk është e vërtetë. E ardhmja është një zbrazëti apatike që nuk i intereson askujt. E kaluara është plot jetë, e etur për të na acaruar, provokuar dhe fyer, për të na tunduar për ta shkatërruar ose ritushuar atë. Arsyeja e vetme që njerëzit duan të jenë zotër të së ardhmes është thjesht të ndryshojnë të shkuarën”. Ky me sa duket është edhe rasti i PD-së së sotme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!