MENU
klinika

"Shqipëria nuk mund të japë asnjë pëllëmbë tokë!"

Historia e Lidhjes së Prizrenit

10.06.2023 - 09:56

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj,të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.