Si sot 24 vjet më parë NATO ndaloi bombardimet në Kosovë. Në 10 qershor të vitit 1999, shefi i NATO-s asokohe Javier Solana dha urdhrin për të ndaluar bombardimet ndaj serbëve në Kosovë pas 78 ditësh.
Ndërsa në të njëjtën ditë Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka miratuar rezolutën 1244 ku janë dërguar 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete dhe gjithashtu nisi largimi i trupave serbe.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.