MENU
klinika

Si shpjegohet

Kredia në Lek, më e leverdishme se ajo në Euro

13.06.2023 - 12:24

Kreditë në lekë po bëhen më të leverdishme se ato në euro, për të parën herë në vitet e fundit.

“Kjo për shkak se të gjitha kreditë që jepen në Shqipëri kanë një komponent variabël, një benchmark që për kreditë në lek është bono thesari ndërsa për ato në euro është Euribori”, thotë Eugen Musta, pedagog ekonomie.

Qasja më e butë e Bankës së Shqipërisë po ul normat e interesit të bonove të thesarit 12-mujore duke i çuar ato në 3.44 për qind, niveli më i ulët i këtij viti.

Nga ana tjetër, politika monetare më shtrënguese e Bankës Qendrore Europian ka rritur në 3.98 për qind Euriborin 12-mujor duke regjistruar kështu nivelin më të lartë këtë vit.

“Por këtu përsëri duhet të kemi një projeksion afatgjatë pasi kreditë që merren janë afatgjatë, 20 apo 25 vjeçare dhe gjërat ndryshojnë me kohën.”, vijon ai.

Ndaj këshilla e ekspertëve është kjo:

“Merre kredinë në monedhën që ke të ardhurat për të shmangur rrezikun e luhatjes së kursit të këmbimit.”

Kredia më e lirë në lek se në euro pritet të jetë e përkohshme. Kjo pasi Banka e Shqipërisë, sipas edhe paralajmërimeve të Guvernatorit Sejko mund të rrisë normën bazë të interesit në gjysmën e dytë të vitit, për shkak të presioneve të forta inflacioniste./A2