MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

A ka militantë kjo PD?

13.06.2023 - 13:20

Tek shikoj se si tolloviten fatet e një partie politike të marrë peng nga dy persona karieristë, seç mu kujtua një fragment i filmit “Operacioni zjarri”, kur i madhi Ndrek Luca ngrihet dhe thotë “a ka burra kjo kullë Gjin Martini”. Dhe fiks-fare, është për të thonë “a ka militantë që u dhimbset Partia Demokratike, a ka anëtarësi që duhet urgjentisht të ndalin rrakapjekthin e saj mes dogmave dhe skenareve të rrezikshëm që synojnë fshirjen e saj nga memorja e shqiptarëve, të paktën e atyre që e krijuan dhe punuan për krijimin e saj në 1990.

Në rast se ka një shtresë solide dhe të përgjegjshme, e cila mund ti thotë “NDAL” dyshes manipulatore Berisha-Basha, në rast se ka një grupim të madh njerezish që mund të ndalin shkrirjen e asaj partie nga flamuri, simbolet dhe emri, ata janë militantët. Sali Berisha nuk largohet. Edhe Lul Basha ka vendosur të mos largohet, dhe kjo ka rritur më tepër shanset e përplasjeve mes dy emrave, grupimeve, dhe dy anëtarësive respektive, që në fakt duhet të mos quhet “e jona, dhe atyre”.

Dhe pikërisht këtë po bëjnë Berisha-Basha. Grindjet dhe debatet mediatike të nisura prej 2 vitesh, kanë gjasë të mos ndalen edhe për vite me rradhë, derisa PD të mos ekzistojë. E ndërsa “fajësojnë Ramën” për gjoja “futje në punët e brëndshme të partisë”, dyshja mëkatare Berisha-Basha, deri sot të paktën e kanë ndarë PD në tre apo katër grupime interesi.

Asnjëra prej tyre nuk ka ndërmend të ribashkojë atë parti, aq më tepër ta sjellë në pushtet. shqiptarët, por së fundi edhe në 14 Maj demokratët, treguan përgjegjshmëri masive, duke mos votuar karieristët 32 vjeçarë të një politike zhvatëse.

Lul Basha, e ka kuptuar se “pa qenë kryetar PD, nuk ka të mira materiale”, dhe po ngulmon të zgjidhet me urgjencë kryetar “pa ushtarë” në 29 Korrik. Por edhe Berisha nuk mbetet mbrapa. Edhe ai shumë shpejt ka “zgjedhjet e reja në partinë e tij”. Përballë kësaj drame me shumë akte, që duket sikur ka vendosur për asgjesimin e asaj force politike, i mbetet pikërisht anëtarësisë dhe militantëve, të braktisin kryetarët pa mandat, dhe të marrin në dorë fatet e PD.

Në të kundërtën, në 2025 (natyrisht PS dhe Edi Rama fitojnë mandatin e ri qeverisës) kësaj PD-je, nuk do ti mbeten as votat e familjarëve të atyre që u shkojnë pas sot Berishës dhe Bashës. Të paktën të tregojnë se, anëtarësia dhe militantët, janë të vetmit që e duan atë parti, pa asnjë interes pushtetor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN