MENU
klinika

Nga Denis Dyrnjaja

Për hajër i qoftë Albinit!

14.06.2023 - 12:23

Këndej dhe andej kufirit ndër shqiptarë, mendjet po gurgullojnë si ujët në lumë të turbullt. Serbia na ka fut në vallen e saj të kamotshme me u nda mes vetesh, me u grind e mbajt mëri. Megjithëse e përdorën fytyrën si maskë prej shumë kohësh, në marrëdhëniet me njëri tjetrin, ndarja e Edi Ramës dhe Albin Kurtinlt tanimë është pafshehshme dhe boll e dukshme.

Përtej protagonizmit të dyanshëm çdo njëri prej tyre po përpiqet të thotë e bindë shqiptarët se ai ka të drejt. Albin Kurti si sovranist po kërkon t’i imponohet ndërkombëtarëve se vetëvendosja i takon veç popullit të Kosovës dhe askujt tjetër.

Ndërsa Edi Rama me qasjen pragmatiste, po përpiqet të thotë se Kosova nuk ka ku shkon pa aleatët euroatlantikë SHBA+BE që çliruan Kosovën nga okupimi shumëvjeçar i Serbisë. Në Beograd rrinë e vështrojnë, madje edhe argëtohen sesi shqiptarët falë unit e egos se prijësve të tyre në kohëra, nuk gjejnë dot gjuhën për t’u marrë vesh me njëri tjetrin e me këtë rast fusin në vallen e tyre të kërcyer keq edhe perëndimin që se njeh këtë mënyrë autentike folklorike por edhe arkaike politike.

Thënë kjo në një moment duhet me ndal e me u qartësu për diçka. Kosova iu takon shqiptarëve të Kosovës dhe vendimet duhet t’i marrim ata, sikurse dhe kostot për dështimin apo suksesin.

Nëse shqiptarët e Kosovës duan atë që do Albin Kurti, le të behet ashtu si do Albini dhe ata që duan e ndjekin Albinin nëse janë shumica e popullit. E nëse kjo zgjedhje do t’iu kushtojë humbjen e mbështetjes së perëndimit dhe vendeve mike e partnere, le ta humbin. Do izolohen, le të izolohen. Do rrezikojnë të rikthehen nën Serbi, le të rrezikojnë e le të kthehen. Çdo popull e zgjedh vetë fatin e tij kur zgjedh e ndjek udhëheqësit e vet.

Askush s’ka të drejtë t’iu tregojë e mësojë sot shqiptarëve të Kosovës se çfarë duan të bëjnë. Ndoshta iu del më mirë duke provuar këtë sfidë me qenë kundër të gjithëve. Ata po e vendosin me vetëvendosje fatin e tyre, duke i shkuar pas atij që mendojnë se po i udhëheq në rrugën e duhur.

Rruga e lehtë u qoftë e fati iu priftë nëse shumica mendojnë e mbështesin Albin Kurtin dhe mendësinë e udhëheqësinë e tij. Atë që kërkojnë, atë dhe do të gjejnë. Nëse u del për keq falje e kthim pas nuk ka me pas. Se boll po na i durojnë pordhët bashkë amerikanë e europianë sikur na e kanë për borxh të na zgjidhin hallet e plotësojnë tekat tona.

Për hajër i qoftë Albinit dhe çdo kujt që beson në mendimet dhe vendimet e tij. Historia dhe koha i jep çdo populli atë që kërkon dhe meriton .

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Denis Dyrnjaja

Doktor po lodhesh kot!