MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Pse Edi Rama, “ia del gjithmonë” që t’i bindë ndërkombëtarët

15.06.2023 - 16:07

Prej 2013, vitit kur Edi Rama ka ardhur në pushtet me mbi 1 milion vota shqiptarësh deri sot, nuk mbaj mënd që të ketë dështuar në fushën e politikës së jashtme. Edi Rama, u bë kryeministër i Shqipërisë, pas një betimi, për ta bërë shtetin nga themelet. Të realizosh një ëndërr të tillë, duhet të “mbledhësh mëndjen”, dhe të thyesh barriera dhe mentalitete. Dhe Edi Rama e ka arritur. Qeverisja e tij, do të mbahet mënd gjatë (ashtu sikurse qenia e tij si kryetar bashkie në Tiranë) për disa arritje.

Ai theu “mitin” e zyrtarit dhe politikanit të pandëshkueshëm, ndryshoi stilin dhe mënyrën e qeverisjes dhe drejtimit të institucioneve nga qendra në bazë. Aplikoi dhe po i qëndron fort idesë dhe vendimit për të thjeshtuar burokracitë administrative në shërbim të qytetarit, ashtu siç përmbysi kalbësirën torturuese për shqiptarët, drejtësinë e vjetër.

Eshtë pikërisht drejtësia e re, e arritur nga vendosmëria e tij, ajo që po penalizon çdo zyrtar dhe politikan të korruptuar, të inkrimunuar, dhe përzierë me botën e trafikut dhe krimit. Edi Rama ka arritur gjithmonë të bindë faktorin ndërkombëtar, jo me “kokën ulur”, por me ballin lart për gjithçka lidhet me interesin e vendit dhe të shqiptarëve. Edi Rama, ka afruar më shumë se askush tjetër sot Shqipërinë me Bashkimin Europian, si dhe ka forcuar edhe më shumë miqësinë tradicionale me SHBA. Ai mbetet politikani më karizmatik në Ballkan, dhe më i respektuari në Kancelaritë Europiane.

Edi Rama, mbetet gjithmonë pjesë e takimeve dhe tryezave ku diskutohet fati i Rajonit tonë, dhe konflikteve më gjërë. Një vlerësim nga faktori ndërkombëtar, Edi Rama padyshim ka marrë dhe vazhdon të marrë lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë. Zgjidhja e shumë problematikave të Kosovës me Serbinë apo divergjencave të saj me faktorin europian dhe së fundi me SHBA-në, natyrisht kanë ndihmesën dhe “dorën e shtrirë” sinqerisht të Edi Ramës. Iniciativa e tij më e fundit lidhur me zgjidhjen e krizës Kosovë-Serbi, ka marrë vëmëndjen e duhur nga liderë europianë.

Askush deri më sot si ai, nuk ka krijuar shansin e madh për Kosovën, për t’ju bashkuar nismave Ballkanike dhe Europiane. Duke injoruar çdo insinuatë dhe akuzë banale nga Sali Berisha (njeriu që ka punuar fort kundër interesave të Kosovës) kryeministri Edi Rama, ka arritur të ruajë mrekullisht balancat mes faktorëve dhe aktorëve kryesorë në Ballkan, duke siguruar partneritet të admirueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë në krah të faktorit ndërkombëtar.

Së fundi, Edi Rama mbetet aktualisht politikani më i besueshëm jo vetëm për shqiptarët, por në veçanti për shumicën e liderëve Europianë dhe amerikanë, duke u vlerësuar nga ata si i vetmi, që mund ta shpjerë Shqipërinë të sigurtë në dyert e BE-së”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Artur Ajazi

A ka militantë kjo PD?