Shqipëria do të luajë nesër kundër Moldavisë, një ndeshje tepër e rëndësishme për rrugën drejt “EURO 2024”. Kuqezinjtë, tashmë të drejtuar nga Silvinjo, do të tentojnë të rikthehen te fitorja në një ndeshje zyrtare, e cila mungon që prej nëntorit 2021 kundër Andorrës dhe këtë do ta kërkojnë përpara 13 mijë tifozëve në “Air Albania”, aq sa mësohet të jetë deri tani numri i biletave të shitura. Por, pa harruar mbështetjen që tifozët mund t’i bëjnë nëpërmjet ekranit, ku sfida do të transmetohet në “TV Klan” dhe “Digitalb”, duke nisur në orën 20:45.
STËRVITJA- Frederik Veseli, që mungoi në seancën e fundit dhe kishte shfaqur probleme në krah, është rikthyer në stërvitje me grupin dhe duket se i ka lënë pas shqetësimet.
Mbrojtësi u shfaq me dorën e fashuar dhe u stërvit normalisht. Fillimisht, ata u ndanë në dy grupe, ku pjesa që mendohet se do të jetë nga minuta e parë nesër, vijoi e ndarë me ushtrime në palestër dhe më pas doli në fushë. Ndërkohë, pasdite Silvinjo i ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët, teksa me grupin u bashkua edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili mungoi për dy ditë.
Për më shumë se një orë skuadra është stërvitur në sallën e forcës e më pas në fushë, ku janë provuar situata të ndryshme loje dhe ana taktike. Sot Kombëtarja do të zhvillojë edhe seancën stërvitore zyrtare para ndeshjes, ndërkohë që në orën 16:45 trajneri Silvinjo do të jetë para gazetarëve në konferencën zyrtare për median.
FORMACIONI- Shqipëria pritet që të nisë me këtë formacion: Në portë Strakosha është më i avantazhuar sesa Berisha, por gjithsesi nuk përjashtohet që Etriti të jetë nga minuta e parë. Në mbrojtje braziliani është edhe më i qartë, teksa me mungesën e Balliut, Hysaj kalon djathtas dhe qendra bëhet nga Ismajli dhe Gjimshiti, ndërsa majtas gati është Mitaj.
Në mesfushë pritet të jenë Ramadani, Bare, Bajrami, por një dilemë është edhe Asllani. Ndërkohë përpara do ta nisë e njëjta treshe si në Varshavë: Asani, Uzuni dhe Cikalleshi në majë.