MENU
klinika

Kuvendi Kombëtar

Basha ‘përze’ kundërshtarët: Duam një politike të re

15.12.2018 - 11:51

Demokratët mblodhën sot Kuvendin Kombëtar, organin më lartë vendimmarrës të tyre, i cili do të votojë për lidershpin e ri të partisë.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe i hap rrugën zgjedhjes ekipit të ri të Lulzim Bashës me të cilin ai do të dalë para votuesve për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme.

Kuvendi Kombëtar mblidhet menjëherë pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj të degëve në të gjithë vendin. Këta të zgjedhur do të votojnë për këshillin kombëtar të selisë blu.

Në fjalën e tij Lulzim Basha vlerësoi të gjithë kontribuesit e PD si dhe qytetarët që sipas tij po protestojnë vrullshëm ndaj “qeverisë së krimit”.

“Ju që kontribuat me mish e me shpirt për këtë parti dhe nuk u prirët nga interesi personal dhe ju që jeni bashkuar me ne në këto ditë të vështira ku qeverinë e ka në dorë krimi, ku drejtojnë antivlerat, dua t’ju them se ju jam mirënjohës për të gjitha betejat në mbrojtje të lirisë e demokracisë, që janë testament politik i kësaj partie.

Dua të mbështes sot qytetarët që protestojnë kundër prishjes së Teatrit, apo studentët që protestojnë kundër reformës në arsim. Rinia studentore ka flakur inercinë e mosveprimit e heshtjes duke na dhënë shembull.

Shqipëria ka nevojë jo vetëm për energjinë dhe ndershmërinë e rinisë, por mbi të gjitha për një mentalitet të ri politik, për një qasje të re ndaj politikës dhe për një politikë ndryshe. Prej 1 shekulli politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve,” tha Basha.