MENU
klinika

Rekorde të reja

Dërgesat e emigrantëve po mbajnë ekonominë shqiptare

17.06.2023 - 11:33

Dërgesat e emigrantëve, thënë ndryshe remitancat po shënojnë rekorde të reja, duke konfirmuar emigracionin masiv të shqiptarëve, por edhe duke u shndërruar edhe në një burim të rëndësishëm për financimin e ekonomisë.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, remitancat arritën në 214 milionë euro, duke qenë ndjeshëm më të larta se e njëjta periudhë në çdo vit tjetër pararendës.

Një ecuri e tillë ka kohë që zhvillohet, në përputhje me largimet e shqiptarëve jashtë vendit. Viti 2022 shënoi një rekord të remitancave prej 834 milionë euro, niveli më i lartë në histori.

Por nga vijnë këto flukse valutore?

Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave, tregojnë se Italia renditet e para si origjinë e dërgesave nga emigrantët shqiptarë. Pason Mbretëria e Bashkuar, e cila gjatë viteve të fundit është bërë destinacion i parapëlqyer i shqiptarëve që udhëtojnë atje ilegalisht. Në vend të tretë është Gjermania, një shtet që prej vitesh po zbaton një politikë agresive për tërheqjen e fuqisë punëtore. Në vend të katërt renditet Greqia, ku një komunitet i madh i vjetër i diasporës shqiptare punon dhe jeton atje që prej viteve ’90.

Por cili është ndikimi i parave që emigrantët dërgojnë në atdhe në ekonominë e vendit?

Këto para janë burim të ardhurash për 26% të familjeve shqiptare. Në këtë mënyrë ato ndikojnë në rritjen e konsumit, në krijimin dhe mbajtjen e bizneseve të vogla. Gjithashtu, ndikojnë te grumbullimi i disa kursimeve. Por nga ana tjetër, kanë një rol negativ në tregun e punës, pasi dekurajojnë ata që marrin remitancat që të punojnë, duke jetuar me këto të ardhura.

Shqipëria vlerësohet në një ndër vendet me nivelin më të lartë të remitancave në rajon, me 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, A është ekonomia jonë e varur nga këto para?