MENU
klinika

Shkrirja e bordit të karburanteve

Çmimi më i lartë që nafta regjistroi për litër

18.06.2023 - 12:57

Me një akt normative Këshilli i Ministrave miratoi shkrirjen e Bordit të Naftës.

Bordi i Transparencës në vendosjen e çmimeve të Karburanteve u ngrit ndikuar nga kriza energjetike që mbërtheu botën pas agresionit rus në Ukrainë. Bordi funksionoi për rreth 15 muaj dhe çmimi më i lartë që vendosi gjatë kësaj periudhe ishte gati 270 lekë për litër.

“Vendimi duhet të ishte marrë shumë kohë më përpara. Sepse ne patëm një deformim të tregut i cili na erdhi nga një aktor i cili duhet të luftonte deformimet e tregut. Ky është shteti shqiptar. Por çfarë bëri ai, ndërtoi vetë kartelin. Ka kompani në tregun e hidrokarbureve që kanë rreth 1 miliardë euro qarkullim në vit, kështu që interesat e këtyre kanë qenë shumë më të forta se ai i kompanive të ushqimeve dhe ia dolën mbanë të ushtronin presion mbi qeverinë“-shprehet eksperti Pano Soko.

Shkrirja e bordit vjen pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare dhe pas goditjes që mori akti normative mbi të cilin u ngrit bordi nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

“Konfindustria vlerëson se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg, përkundrazi mund të përkeqësohet më tej. Arsyeja e përfundimit të mësipërm është mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel. Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve“-shprehet Gjergj Buxhuku.

Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të suksesshme në Rajon. Tregu strategjik i karburanteve ka qarkullim vjetor në mbi 11% të PPB me mbi 1.5 miliard $/vit, duke qenë nga më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare.

“Shqipëria ka çmimet krahasimore të karburanteve nga më të larta në nivel kontinenti dhe më gjerë. P.sh në Maqedoninë e Veriut, ku funksionon Agjencia Rregullatore e Karburanteve, çmimi i naftës është 124 lekë/litër, ndërkohë që në Shqipëri është 176 lekë/litër d.m.th mbi 15-20 lekë/litër më shtrenjtë, marrë parasysh edhe ngarkesën fiskale. Kostot në tregun shqiptar rriten edhe më shumë nga standardet e dobëta të cilësisë dhe vjedhjet me volumet në pikat e shitjes me pakicë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN