Gjetja e pasardhësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qenë objekt diskutimesh për më shumë se 2 vjet.
Dhe detyra nuk po rezulton e lehtë, me polemika thuajse me çdo emër që është lakuar si favorit.
Një nga ata është edhe Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace. Megjithatë kandidatura e tij nuk është mirëpritur nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Madje thuhet se Macron po planifikon të “vërë veton”, për shkak se Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian, siç raporton “The Daily Telegraph”.
Wallace fitoi “lavdërime” për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Rusisë.
Por zyrtarët francezë thuhet se e kanë bërë të qartë se duan një figurë nga BE-ja, për ta bërë bllokun ushtarakisht të pavarur dhe më pak të varur nga Uashingtoni për sigurinë e tij.“Ben Wallace nuk është nga një shtet anëtar i BE-së”, tha një burim për “The Daily Telegraph”.
“Shumë vende, por kryesisht Franca, këmbëngulin se sekretari i përgjithshëm i ardhshëm duhet të vijë nga një vend i BE-së”, shkruan media britanike.
Jens Stoltenberg, ish-kryeministri norvegjez i cili ka drejtuar aleancën që nga viti 2014, do të largohet në shtator, megjithëse presidenti i SHBA, Joe Biden, thuhet se i ka kërkuar që të shtyjë largimin e tij deri në pranverën e ardhshme, për shkak të luftës në Ukrainë.
Wallace, një ish-oficer në Gardën Skoceze që shërbeu në Gjermani, Qipro, Belize dhe Irlandën e Veriut, respektohet gjerësisht brenda aleancës dhe ka treguar se është i interesuar për këtë punë.