Punësimi në Shqipëri është në nivele historike, por shkalla e papunësisë, një raport i të papunëve kundrejt forcës punëtore është rritur lehtazi.
Shifrat ngjajnë kontradiktore. INSTAT bën me dije se ishin gati 11 700 persona të moshës 15- 64 vjeç që dolën jashtë pune. Por, në total punësimi gjatë tremujorit të parë u rrit me rreth 5 mijë persona.
Në këto kushte, pyetja që shtrohet është ku u gjendën 17 mijë punonjës të cilët sollën dhe rritjen e shifrës totale të punësimit? Statistikat sugjerojnë se forcat e reja që i janë shtuar tregut janë pensionistët, popullsia mbi 65 vjeç.
Sektori që ka kontribuar më shumë në rritjen e punësimit është ai i shërbimit, ndjekur nga bujqësia, ndërsa industria ka pësuar tkurrje.
Një tjetër zhvillim në tregun e punës është pjesëmarrja rekord e popullsisë si forcë punëtore.
Në këtë mënyrë është zgjeruar baza e njerëzve që janë në punë dhe janë punëkërkues aktivë dhe është ngushtuar ajo e atyre që janë ekonomikisht jo-aktivë, si studentët apo gratë shtëpiake.
Kjo ka bërë edhe që të rritet lehtazi shkalla e papunësisë me 0.1% nga një tremujor në tjetrin. Ndërkohë në krahasim me vitin e kaluar papunësia ka rënë me 0.4%. Të rinjtë vijojnë të jenë kategoria më problematike. Ata kanë ulur pjesëmarrjen në punësim si dhe kanë rritje në shkallën e papunësisë.
Ndërkohë, gratë po marrin gjithmonë e më shumë pjesë në forcat e punës duke ngushtuar hendekun me burrat. Shkalla e punësimit për gratë u rrit me 2.6% më shumë se burrat në tremujor. / TCH