Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici është vënë në pranga me kërkesë të SPAK dhe urdhër të Gjykatës së Posaçme.
Gazetarja Klodiana Lala, në një raportim për News24 bën me dije se pavarësisht se fillimisht SPAK nisi hetimet kryesisht në lidhje me akuzën “Shpërdorim detyre” pas publikimit të videoskandalit, sot i janë vënë prangat nën akuzën “Korrupsion pasiv”, pasi në videon e plotë të publikuar dilte në pah biseda e tij me gruan me të cilën kryente marrëdhënie, për një tender për sterilizimin e qenve.
“SPAK iu drejtuar Gjykatës së Posaçme për të arrestuar Gjicin e përfshirë në një skandal seksual pak ditë më parë.
Në momentin që u publikua videoja SPAK nisi hetimin për shpërdorim detyre, por pas publikimit të videos së gjatë ku bisedohej edhe në lidhje me një tender për sterilizimin e qenve.
Më pas nisën hetimet për korrupsion pasiv.
Gjici është arrestuar pikërisht nën një akuzë të tillë. Ai u ndalua nën ambientet e një lokali pranë shtëpisë së tij tek Vilat Gjermane.
SPAK nga hetimet ka rezultuar se ka siguruar prova që e implikojnë në veprën penale të korrupsionit”, tha gazetarja Lala.