MENU
klinika

Artur Ajazi

PD nuk do të jetë kurrë parti pushteti

26.06.2023 - 16:21

Rrokullisma ku u gjend Partia Demokratike pas vendimit “non-grata” të Sali Berishës, lufta e pandalshme klanore për të kapur vulën, firmën, selinë, kryesinë, bazën dhe Këshillin Kombëtar, të bëjnë të mendosh se, kjo forcë politike kurrë nuk do të ketë “shansin” të vijë në pushtet. Eshtë logjike që çdo forcë politike krijohet, si model i një grupimi që emancipon vehten, krijon hapësira për njerëzit, dhe aspiron të vijë një ditë në pushtet. Ardhja e PD në pushtet, realisht paska qenë “aksidentale” si në 1992, ashtu edhe në 2005.

Ajo parti, nuk e ka kuptuar, dhe as ka gjasa ta kuptojë se, një grupim politik rritet, integrohet, modernizohet, dhe mbledh rreth vehtes shumicën e popullit, kur regjeneron vehten, prezanton emra dhe programe të rinj, dhe kur premton jo rrumpallën ekonomike, por progresin me orientim europian. Fatmirsisht, këtë gjë e ka bërë deri sot me sukses Edi Rama dhe Partia Socialiste. Por le të kthehemi tek PD-ja. Prej 28 muajsh në gjirin e asaj force politike, po ndodh ajo që nuk mendohej.

Rrebelimi i brëndshëm, debatet dhe deri duelet fizike për marrjen e selisë, deklaratat ultimative mes Berishës dhe Alibeajt, dhe së fundi futja në “xhele” e Bashës, tregojnë se kjo parti ka “dava të gjatë” mes vetes. Ajo kurrë nuk do të arrijë të ribashkohet, dhe për pasojë kurrë më, nuk do të jetë një parti që aspiron, dhe do të vijë në pushtet. Gjithçka duket e “këputur”, nga lidhja me faktorin ndërkombëtar (e Saliut dhe Lulit), nga lidhja me bazën dhe mbështetësit (edhe pse Saliu pretendon se ka shumicën) tek ç’organizimi fatal i strukturave të asaj force politike. Rikthimi i Berishës, por dhe mungesa e largimit në kohë të Bashës, krijuan çarje të thella dhe të pariparueshme brënda asaj partie. Paaftësia e lidershipit të PD, paska qenë fatale.

Kjo duket në pamundësinë e dy “kokëve” Berisha-Basha, për të administruar dhe amnistuar inatet, hatërmbetjet, duke u lëshuar në akuza dhe përplasje të pakthyeshme, që nuk premtojnë asgjë pozitive. Në gjendjen ku është katandisur PD sot, mund të mendosh vetëm mbijetesën politike, por kurrë ardhjen ndonjëherë të saj në pushtet. As Berisha dhe as Basha, nuk e kanë të qartë ku ndodhen politikisht.

Njëra palë pretendon se “jemi konservatorët e rinj”, tjetra “jemi e djathta e moderuar”, ndërkohë që Edi Rama fiton çdo palë zgjedhje, duke rritur mbështetjen në popull. Dikush ka thënë se “PD shkrihet deri në 2025, madje nuk merr pjesë as në zgjedhjet e reja”. Dhe kjo për faktin sepse lodhja dhe mërzitia, po e detyron anëtarësinë, ta braktisin përfundimisht atë parti. Sa për “mungesën e 250 mijë votave të 14 Majit për PD” që pretendon Berisha apo Basha, duhet ti themi se “ky është abuzimi më flagrant që bëhet me shifrat”.

Asnjëherë PD, nuk ka patur më shumë vota se mori në zgjedhjet e fundit për bashkitë. Çdo “përrallë” e së kaluarës, synon thjesht të mbajë me “gariet”, ata që i kanë mbetur asaj parti në Tiranë dhe rrethe, për ti siguruar asaj “mbijetesën politike”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN