MENU
klinika

Dyshohet se u larguan nga vendi i ngjarjes me motor të vjedhur

Tritoli në garazhin e biznesmenit, identifikohen dy autorët

30.06.2023 - 10:04

Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia në lidhje me shpërthimin e tritolit në garazhin e një biznesmeni në Shkodër.

Policia bën me dije se autorët dyshohet se janë S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Dyshohet se ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Njoftimi i policisë
Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 29 qershor 2023, në lagjen “10 Korriku”, ku shtetas të paidentifikuar vendosën lëndë eksplozive në garazhin e automjeteve të një shtetasi.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i 2 shtetasve të dyshuar si autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, si dhe u bë shpallja e tyre në kërkim.

Autorët e dyshuar, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve, të cilët janë larguar me një motomjet të vjedhur pak para ngjarjes, në qytetin e Shkodrës.

Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Vijon puna intensive për kapjen e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Vjedhja”.