“Travel Fest Albania”, i pari festival i këtij lloji në Shqipëri, nisi të hënën edicionin e dytë të maratonës së tij filmike, duke premtuar një eksperiencë emocionuese për të gjithë dashamirësit e filmit.
Festivali do të zhvillohet deri në 7 korrik. Tirana, Durrësi dhe Gjirokastra do të mirëpresin ngrohtësisht mbi 50 kineastë dhe fotografë ndërkombëtarë, të bashkuar nga gjuha universale e filmit dhe e fotografisë.
Pandeli Çeço, themeluesi dhe drejtori i “Travel Fest Albania”, thotë se, “Këtë vit, janë zgjeruar aktivitetet, duke shfaqur më shumë filma, duke sjellë më shumë aktorë dhe duke zgjeruar shtrirjen gjeografike”.
Prodhimet filmike do të sillen rreth temave të natyrës, mjedisit, turizmit, trashëgimisë dhe historisë, një përzierje bindëse që lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Drejtori artistik i “Travel Fest Albania”, Gentian Kurti, thekson: “Filmat e përzgjedhur do të shfaqen në dy lokacione në Tiranë: në Muzeun Kombëtar në mëngjes dhe në Amfiteatrin e Liqenit pasdite. Në Gjirokastër fokusi do të jetë te turizmi e trashëgimia kulturore, ndërsa në Durrës filmat që lidhen me detin dhe kafshët e egra do të jenë në qendër të vëmendjes.
“Travel Fest Albania” mbeshtetet nga Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Tiranë, Bashkia Durrës, Bashkia Gjirokastër dhe shumë partnerë të tjerë.