Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat publikoi fotot e Kishës së Shën Kollit në Perondi, monument kulture i cili periodikisht i nënshtrohet pastrimit nga punëtorët e mirëmbajtjes së DRTK Berat.
Në fotot e ndara në rrjetet sociale, dallohet pastrimi nga vegjetacioni dhe mirëmbajtja e hapësirave pranë monumenteve të kulturës në lagjen Kala të Beratit por edhe në monumentet e qarkut siç është kisha e Shën Kollit.
“Një mjedis i pastër për një imazh me dinjitoz ndaj mijëra vizitorëve që vizitojnë monumentet çdo ditë”, shkruan DRTK Berat në rrjetet sociale.
Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Perondi, të Kuçovës, rreth 18 km nga qyteti mesjetar i Beratit dhe përbën një nga monumentet më të hershme bizantine në Shqipëri.
Gjatë shekujve, kisha ka pësuar mjaft transformime në rrafshin arkitektonik. Në vitin 1970 kisha i është nënshtruar një restaurimi të mirëfilltë nga specialistët e Institutit të Monumenteve.
Në fillimet e saj monumenti ka qenë një bazilikë trinefshe me nefin qendror të ngritur lart dhe me narteks dhe sipas studiuesve i përket shekullit të XI. Në një fazë të dytë gjatë periudhës bizantine kishës i është shtuar muri i narteksit dhe këmbanorja, e cila është lidhur organisht me murin e narteksit. Më vonë kisha pëson një meremetim tjetër, ku vihet re përdorimi i teknikës së kluasonazhit. Rindërtim tjetër i rëndësishëm është ai i vitit 1786, ku shtohen hajatet dhe rindërtohen çatitë me tavanet.
Rindërtimi i fundit që transformoi së tepërmi arkitekturën e monumentit është në vitin 1931.
Më tipike në unikalitetin e saj kisha e Shën Kollit në Perondi bëhet nëpërmjet këmbanores, e cila mendohet të jetë nga më të hershmet në provincat bizantine të Ballkanit. Kjo kishë përfaqëson një nga monumentet e kultit bizantin më të spikatur në gjithë rajonin.