Në Spanjë nuk kanë dyshime: Alvaro Morata do të transferohet në Milano, do të vesh fanellën kuqezi. Ish sulmuesi i Juves ka dhënë pëlqimin e tij për tu transferuar te Milan, ndërsa Atletico Madrid dhe “djalli” vijojnë negociatat për kartonin, palët mund të gjejnë shpejt gjuhën e përbashkët. Morata po bën gjithçka për tu rikthyer në Serie A, së fundmi ka refuzuar edhe një ofertë të rëndësishme ekonomike nga Arabia Saudite. Sulmuesi spanjoll ka një klauzolë largimi të pranueshme prej 10-12 milionë euro, një shifër që Milani mund ta përballojë.
Në të njëjtën kohë, stafi drejtues i Milanit po punon edhe për të mbyllur transferimin e Christian Pulisic. Kuqezinjtë kanë rritur ofertën për sulmuesin, 20 milionë euro, por sërish nuk mjaftojnë për Chelsea-n, blutë kërkojnë 25 milionë. Diferenca mes ofertës dhe kërkesës nuk është shumë e madhe, për më tepër që Chelsea nuk është në pozita komode për të negociuar pasi amerikanit i përfundon kontrata në 2024, rrezikojnë ta humbasin falas. Sipas mediave italiane, transferimi i Pulisic në Milano pritet të mbyllet brenda ditës së hënë.