MENU
klinika

Qëndronin në sirtar prej 14 qershorit

Çfarë parashikojnë marrëveshjet e nënshkruara Shqipëri – Kosovë?

07.07.2023 - 10:07

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë nënshkruan dje 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe deklaratë. Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.

Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy Qeverive, u nënshkruan 13 marrëveshje që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria, drejtësia e deri tek arsimi dhe kultura.

“Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit. Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore”, shkruhet në faqen zyrtare të Kryeministrisë së Kosovës.

Një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection.

Gjithashtu, Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Kryeministri i Shqipërisë, në një intervistë në Klan Kosova, deklaroi dje se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin Kurti apo jo. Ai tha se edhe në momentet sa po jepet intervista, kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë.

“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht. Nuk kemi asnjë përgjigje sepse s’kemi pasur mundësi të kemi përgjigje zyrtare. Të gjitha qeveritë e tjera janë përgjigjur si e kemi bërë ne kërkesën. Edhe tani që flasim s’ka qenë e mundur të kontaktohet kabineti”, tha Rama.

Ai foli edhe për Kanunin, ku e përdori si shprehje gjatë një interviste në Maqedoni të Veriut gjatë ditës.

“Edhe ajo e kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Dhe kur thuhet “miku”, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt.

“Dhe ti je i detyruar ta hapësh derën dhe ta presësh, pavarësisht se është një prani që t’i nuk e dëshiron dhe në këtë sens, edhe kaq mjafton për të mos krijuar shfaqje të tilla”, tha Rama. Më tej,ai deklaroi se Kurtit i ka bërë aq shumë kërkesa për takimin e sotëm sa “as në rininë time s’i kam shkuar mbrapa një Xhuljete indiferente me aq shumë kërkesa”. Kurse, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Rama e quajti si “djalë simpatik shumë”, por sipas tij, ai “s’ka lidhje fare me këto tema”.

“Unë e kuptoj që do të thotë fjala “më ka ngelur hatri”, më ka ngelur hatri për mbledhjen e dy qeverive që u anulua, dhe tash si do ia bëjmë. Do ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin që do të bëjmë për kancelarinë në këto vizita dyditore?”, tha Rama.

Ndërkohë ambasada e Gjermanisë në Prishtinë konfirmoi dje për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Nga kjo masë, të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit, nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t’i zbatojmë”.

“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.

Në fund të muajit Qershor, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që Qeveria e vendit nuk ndërmori hapat e kërkuar nga blloku evropian për shtensionim të situatës në veri.

Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë. Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.