MENU
klinika

‘Ju flet Tirana’

Merret vendimi, ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet

07.07.2023 - 15:38

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet. Lajmi është bërë publik nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në Facebook. Sipas ministers, në mbledhjen e tij më të fundit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë II.

E ndërtuar midis viteve 1928-1930, ndërtesa e dikurshme e Radio Tiranës dhe më pas e Institutit të Kulturës Popullore është një nga vilat e para moderne në qytet.

Aktualisht ajo paraqet dëmtime të shumta në çati, fasadë, dysheme, dyer, dritare, në elementë të brendshëm e të jashtëm.

“Ndërhyrjet e miratuara në KKTKM, janë konform ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe në respekt të statusit të monumentit. Ato konsistojnë në restaurime të çatisë dhe dyshemesë, fasadës, vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, restaurimin e kapiteleve, pastrimin dhe lyerjen e kangjellave, plotësimin me sistem hidraulik e elektrik, sistemimin e oborrit të jashtëm etj.”- shkruan Margariti.

‘Ju flet Tirana’, pak histori për Radio Tirana

“Ju flet Tirana!”– Kjo ishte thirrja që prej 28 nëntorit të vitit 1938 e deri sot e kësaj dite, që emeton fjalën shqip për shqiptarët, duke na kujtuar se, është e para radio në vend që hodhi bazat dhe ndërtoi historinë e radiofonisë në Shqipëri.

Radio Tirana, për herë të parë në historinë e saj, ka nisur transmetimet më 28 Nëntor të vitit 1938, pesë muaj para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Fillimisht Radio Tirana e kishte rezidencën e vet në një prej ambienteve të Bashkisë së atëhershme, por që aty nga fundi i vitit 1939, u transferua në një ndërtesë të re në rrugën Kont Urani.

Lajmi për hapjen e një radioje në kryeqytetin shqiptar, ku të flitej dhe transmetohej muzikë shqipe, u prit me entuziazëm të madh tek njerëzit. Në Tiranën e Mbretit Zog, ideja e një radioje, ishte ndër shanset e mëdha të përhapjes së një fryme emancipuese për shoqërinë e prapambetur shqiptare.

Dëshmitë tregojnë se në ceremoninë e inaugurimit të Radio Tiranës, morën pjesë vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë, të cilët mbajtën edhe fjalimet përkatëse. Nga kjo radio fillimisht transmetohej muzikë patriotike e popullore shqiptare dhe kryesisht për muzikën përdoreshin disqet e gramafonëve të dhuruara nga qytetarët.

Nga fundi i viteve 1939, Radio Tirana transferohet si godinë dhe duke filluar nga viti 1940, nisi të botojë edhe një revistë të përdyjavshme, e cila u quajt së pari “Radioprogram”, e më pas “Radiorevista Tirana” dhe “Vatra shqiptare”.

Më 27 Nëntor 1944, Radio Tirana rifilloi traditën e vet. Vijoi muzika e interpretuar nga artistët prezent në studio, shoqëruar nga pianisti italian Mario Etore dhe shqiptarja Lola Gjoka. Çdo natë ishte si një premierë. Artistë që vinin e shkonin, emocione të drejtpërdrejta, altoparlantë të vendosur në pikat më kyçe të kryeqytetit dhe turmat e njerëzve që dëgjonin përmes tyre. Këngëtarët lirikë që debutuan pas lufte ishin Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, e plot të tjerë. Më pas filluan emisionet me këngë patriotike, reportazhe nga hekurudhat, nga jeta në qytet, filluan emisionet “Ora e gruas”, “Ora e fëmijëve”, “Ora e katundarit”, “Ora gazmore”, “Këshilla mjekësore”, etj. Që në ditët e para të pas luftës, Radio Tirana ka transmetuar dhe lajme në gjuhë të huaj, duke vazhduar përvojën e nisur që në prill të 1939.

Në 1945, Radio Tirana fillon për herë të parë në historinë e saj, një cikël emisionesh sportive, ku protagonist i saj bëhet Anton Mazreku. Në vitin 1946, filloi dramatizimi i pjesëve të ndryshme, me pjesëmarrjen e aktorëve më të mirë të skenës shqiptare.

Më vonë krijohet orkestra e madhe, që njihej me emrin “Orkestra e radios dhe kinematografisë”, ndërkohë që në vitin 1962, Festivali i parë i muzikës së lehtë shqiptare, i njohur si “Festivali i Radios”, merr jetë, për të vazhduar një traditë shumë vjeçare. Në vitin 1972, me fillimin e liberalizimit të jetës në vend provoi futjen e muzikës së huaj, siç ishin për shembull “Beatles”. Gjithçka liberalizuese që kishte nisur të lulëzonte u ndërpre në mes.

Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare. Janë punonjësit e saj, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë e profesionistë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që sot inspirojnë dëgjuesin e Radio Tiranës, duke ia lartësuar emrin si tempulli i kulturës dhe emancipimit njerëzor.

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Një krijim mbi Historinë, Stilistin dhe Mjeshtërinë artizanale

“Ti, Xhubleta e Re!”