Arbër Paplekaj doli dje sërish para Gjykatës ku avokatët mbrojtës të tij, por edhe ai vetë parashtruan argumente pafajësie në lidhje me masakrën e ndodhur për zgjedhjet vendore në qytetit të Elbasanit.
Kështu, në këtë Gjykatë, dje, u dhanë konkluzionet përfundimtare të avokatëve për ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ngjarje e ndodhur në fushatë elektorale dhe e cilësuar si ngjarje me motive politike. Një javë më parë, Prokuroria në konkluzionet e saj përfundimtare kërkoi 25 vite burg për Arben Paplekajn, duke i qëndruar akuzës në nisje të gjykimit, “vrasje në rrethana cilësuese”.
Vendimi për të do të jepet më 12.07.2023, ora 13:00. Në konkluzionet e djeshme mbrojtja argumentoi se vrasja e Pjerin Xhuvanit është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes duke faktuar me dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, pamjet filmike dhe ekspertizat ligjore.
Sa më sipër mbrojtja kërkoi pafajësi për Arbër Paplekajn. Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka marrë parasysh as eskpertizën mjeko ligjore të kërkuar nga vetë organi i akuzës ku mjekët shprehen se në momentin e ngjarjes Arbër Papleka ka qenë në gjendje të rënduar psikike (e cilësuar si afekti fiziologjik) çka ka sjellë vetëdije të dobësuar dhe e shkaktuar nga rrethanat e një sulmi të papritur, i cili ndodhi në pak sekonda dhe ku u desh një reagim i menjëhershëm i ndodhur nën breshërinë e plumbave për të mbrojtur jetën.
MBROJTJA
Edhe avokatët mbrojtës të punonjësve të Policisë kanë kërkuar pafajësi për klientët e tyre. Sipas tyre, Prokuroria nuk ka vërtetuar dhe faktuar shpërdorimin e detyrës. Madje, avokatët kanë vënë në dyshim standardet e Prokurorisë, e cila, sipas tyre, nuk përfshin në gjykim një police të plagosur në vendin e ngjarjes. Ndërsa policët e tjerë që ishin aty së bashku gjykohen. Në këtë seancë është paraqitur edhe një deklaratë e polices së plagosur në ngjarjen e 21 prillit 2021.
Xhensila Sota kërkon që Arbër Paplekaj të mos gjykohet për plagosjen e saj. Kjo deklaratë i është shtuar dosjes si shprehje vullneti e Sotas.
Abër Papleka foli edhe vetë në seancë, ashtu siç ka folur edhe më herët: “Kam kaluar testin e integritetit nga agjencitë amerikane kur jam dërguar ne Afganistan. Jam dekoruar nga Kryeministri për luftën e antiterrorist. Kam qenë 10 vjet me armë në brez. 10 vjet jam përplasur me grupe kriminale dhe kurrë s’e kam përdorur. Pasi më shajtën, më dhunuan dhe më qëlluan shokun me plumb më thoni ç’duhet të beja? Nuk pata rrugë tjetër.
Nuk desha me e vra atë djalë. Nuk gëzova me e vra atë djalë. Mbrojta jetën teme. U përballa me instinktet. Jam ish-anëtar i forcave speciale. Dhe instinkti i parë, për të cilin jam stërvitur është të reagoj kur rrezikohet jeta ime apo e dikujt. Në momentin që sheh armën reagon. E njihni teorinë e qenve të Pavollovit? S’kam vepruar me zemër. Kam qenë makineri. Kam reaguar si jam stërvitur për dhjetëra vite.”
Paplekaj më pas iu ka drejtuar edhe gjyqtares së çështjes: “Shpresoj që në vendimin tënd do të jesh e drejtë. Do jesh e fortë. Do ruash parimet dhe dinjitetin tënd. Nuk kërkoj drejtësi. Kërkoj vetëm vërtetësi për një akuzë qesharake që më bëhet nga një prokurori që kërkoi të bëjë rolin e ekspertit, rolin e psikologut, por nuk bëri vetëm rolin e saj të hetimit të ngjarjes”.