MENU
klinika

Hapat që do të ndërmerren tani nga Shqipëria

Rama mbyll turin në Ballkanin Perëndimor

08.07.2023 - 12:21

Edi Rama përmbylli në Serbi një turne ballkanik ku diskutoi me krerët e vendeve krizën në Kosovë, nismën e Ballkanit të Hapur dhe procesin e Berlinit.

Konkretisht, autoritetet shqiptare do të përgatisin dy raporte për situatën në rajon, njëra do t’i adresohet vendeve anëtare të NATO-s pas tre ditësh në samitin e Vilnius-it ndërsa tjetra do të përpilohet për Samitin e Procesit të Berlinit.

Me sytë nga Samiti i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, Rama nisi të enjten e 6 korrikut turin e takimeve dy ditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht, ai u takua me homologun maqedonas Dimitar Kovačevski.

“Patëm një takim dhe një diskutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do të mikpresë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe ku qëllimi im është që ky Samit të shënojë disa përparime konkrete, të prekshme, domethënëse, për të cilat po punojmë me Kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me Komisionin Evropian në Bruksel”, sqaronte në krye të herës misionin e vizitës së tij Rama.

Rama zbuloi se së shpejti do kemi një tjetër takim informal në Tiranë ku “do t’i ftoj të gjithë së bashku dhe ku do jenë prezentë dhe miq nga Bashkimi Evropian për të diskutuar konkretisht mbi planin”.
“Na duhet ky plan, na duhet kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Evropës që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat sepse detyrat ne duhet dhe do t’i bëjmë për vete, por dhe si ata që kontribuojnë dhe sot më shumë se asnjëherë tjetër, në këndvështrimin tim, është e qartë që Bashkimi Evropian ka nevojë për ne sa ç’kemi nevojë ne për Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Kryefjala e turit dyditor ishte takimi i munguar mes kryeministrit Rama dhe homologut të tij në Prishtinë, Albin Kurti.

Një ballafaqim që sipas kreut të Qeverisë, u tentua deri në momentin e fundit për t’u realizuar por pa sukses.

Ndryshe, kryeministri shqiptar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook”, presidentja Osmani, shkroi vetëm se me Kryeministrin e Shqipërisë, diskutoi për samitin e NATO-s e për Procesin e Berlinit, por në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, bëhet e ditur se ishte edhe “tema e nxehtë”, çështja e veriut të vendit.

“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, megjithëse se në fund të fjalisë, bëhet me dije se dyshja kanë diskutuar edhe për tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe për planin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për relaksimin e gjendjen së tendosur në terren.

“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media të enjten.

Takimi mes Presidentes Osmani dhe kryeministrit Rama – nuk ka pasur konferencë të përbashkët për media – u realizua vetëm një ditë pasi kryeministri kosovar, Albin Kurti, përjashtoi kategorikisht mundësinë e një takimi me homologun e tij, me të cilin kurrsesi të gjejë pajtueshmëri si të lëvizet përpara.

Në Sarajevë, Rama garantoi se Shqipëria po punon për të mbrojtur interesat e Kosovës.

“Nuk është sekret që ne mbrojmë interesat e Kosovës. Ne duam të përfundojmë procesin e lirisë së udhëtimit për qytetarët e Kosovës, të cilët gjithashtu kanë vështirësi si pjesë e Procesit të Berlinit”, tha Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krišto.

Rama tha se duan të arrijnë lirinë e lëvizjes përmes Procesit të Berlinit për të nxitur bashkëpunimin mes Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se “vullneti për ndërtimin e paqes shpërblehet dhe lënia pas e së shkuarës dhe përqafimi i të ardhmes shpërblehet”.

Krišto garantoi nga ana e saj se Bosnja dhe Hercegovina është e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit, i cili synon të promovojë lidhjet midis shteteve të BE-së dhe shteteve të mundshme të BE-së në Ballkan.

Kryeministri shqiptar u takua një ditë më parë edhe me kryeministrin me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Edi Rama deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se është me rëndësi që së bashku me autoritetet malazeze, palët të kenë një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe me shqetësimet në rajon në samitin e ardhshëm të NATO-s.

“Për në është shumë e rëndësishme që në samitin e ardhshëm e NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me rajonin dhe me shqetësimet në rajon. Duke qenë të vetëdijshëm se falë Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera jemi në një fazë tjetër të historisë sonë”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë pritet të diskutohet rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë.

Kujtojmë që Lituania do të presë një Samit të NATO-s në Vilnius më 11-12 korrik 2023.

Sakaq, ai shtoi se është një kënaqësi e përhershme takimi me homologun Abazoviç.

“Ishte si gjithmonë kënaqësi e veçantë, jo sepse kështu e kërkon diplomacia që të thuhet, por sepse sa herë takohem me kryeministrin Abazoviç, me mikun tim gjithmonë e më të afërt Dritan, është një kënaqësi shumë e veçantë sepse Dritani është ndër shumë të paktët që në këtë lagjen tonë në zemër të Evropës që quhet Ballkan, e shikon politikën si qytetar dhe jo si përfaqësues i një etnie dhe kjo është diçka sa e rrallë, aq e çmuar”, u shpreh ai.

Takimi përmbyllës i turit dyditor në Beograd nuk kaloi pa momente tensioni mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në një konferencë të karakterizuar nga mesazhet për “paqen e pakthyeshme” dhe rëndësisë së dialogut.

Shkak u bë deklarata e kreut të Qeverisë shqiptare se propozimin e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ia kishte dërguar Gjermanisë dhe Francës, të cilat sipas tij janë “kumbarët e marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës”.

Kësaj të fundit, Vuçiç iu përgjigj me një ton të vrazhdë se “në Serbi njerëzit zgjedhin kumbarët e tyre”, duke theksuar se “vetëm Serbia mund të propozojë Statutin e Asociacionit sepse kështu është sipas Marrëveshjes së Brukselit”.

Rama falënderoi në pikënisje të konferencës, presidentin serb për mikpritjen dhe mundësinë për t’u takuar dhe biseduar.

“Kemi fituar zakonin që të shkëmbejmë hapur mendime, herë jemi dakord, herë nuk pajtohemi, por duhet të punojmë në favor të paqes. Duke qenë se kryeministrja nuk ishte e pranishme, ne kishim kohë dhe sigurisht pata mundësinë të diskutoja gjerësisht për tema si procesi i Berlinit dhe besoj se mund të bënim një plan të ri në mënyrë që Komisioni Evropian të hartonte një plan financiar në mënyrë që vendet tona të jenë në një treg të vetëm ekonomik”, tha Rama.

Siç shtoi ai, me tensionet që janë prezente në Kosovë, si ai ashtu edhe Vuçiç i shmangen shprehjes së opinioneve të tyre publikisht për të mos përkeqësuar situatën dhe për të mos “ta kthyer situatën nga rruga e gabuar”, por përkundrazi të shkëmbejnë mendimet e tyre mes vete.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rama ritheksoi se e vetmja rrugë përpara nuk është rritja e tensioneve, por rruga e dialogut dhe rruga e marrëveshjes bazuar në marrëveshjen që del nga plani franko-gjerman.

“Nuk dua të përsëris në Beograd atë që thashë në Prishtinë kur iu drejtova autoriteteve të Kosovës, por dua të shtoj se askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve deri në atë pikë sa të gjendemi në një situatë të tillë që disa lëvizje të armatosura mund të ndërmarrin diçka që ne nuk mund ta lejojmë të ndodhë. Kjo do të na çonte në një situatë që mund të jetë e krahasueshme me Donbas-in, për të krijuar një territor brenda rajonit që do të na bënte të pamundur investimin e energjisë dhe do të çonte në pasoja të përmasave të paimagjinueshme për ta kthyer situatën në gjendjen që është”, theksoi kreu i Qeverisë.

Ai tha se situata e sotme mund të kontrollohet me pika të përcaktuara qartë me qëllim të shtensionimit, të cilat janë përcaktuar nga bashkësia ndërkombëtare.

E vetmja gjë që mund të thuhet në përfundim të këtyre takimeve është rëndësia e Procesit të Berlinit për vendet e rajonit dhe planit franko-gjerman për Kosovën në tryezën e dialogut me Serbinë.

Përtej përpilimit të raporteve përfundimtare për situatën në rajon, kryeministri shqiptar zbriti në terren për të përshkuar një litar ekuilibri mes vendeve, në kushtet kur paqja në Ballkan është e brishtë, gjë që e dëshmon edhe situata në veri të Kosovës, rritja e vëmendjes së BE-së ndaj rajonit me nisma euro-atlantike, kthehet në një domosdoshmëri absolute.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenti serb heq kufjet dhe largohet

Mbyllet me tension konferenca Rama-Vuçiç