MENU
klinika

U emërua ministër i Brendshëm

Profili i Taulant Ballës: Nga kabineti i Nanos tek zëvendës i Ruçit

09.07.2023 - 10:26

Sapo të marrë dritën jeshile nga presidenti i Republikës, Taulant Balla do të jetë ministri i ri i Brendshëm, duke zëvendësuar në këtë detyrë Blendi Çuçin.

Emërimi i Ballës në këtë detyrë vjen disa orë pas lënies së mandatit nga ana e deputetit Rrahman Rrahja për një ngjarje të rëndë në Krujë, ku pjesëtarë të afërt të familjes së tij dhunuan dy persona të tjerë, incident ky që shkaktoi debat të madh në opinion publik dhe tronditi imazhin e Çuçit dhe Policisë së Shtetit për reagimin e saj.

Taulant Balla lindi më 12 gusht të vitit 1977 në Librazhd, ku ndoqi shkollën fillore dhe të mesme. Me rezultate të larta ai kreu studimet dhe masterin për shkenca politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Alexandru Ioan Cuza” në Iasi të Rumanisë.

Hyrja e tij në politik nisi në vitin 2004-2005 ku shërbeu si anëtar i kabinetit të kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano.

Balla u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas zgjedhjeve të 2017, për shkak dhe të rezultatit të mirë të arritur Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist. Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, ai u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.

Përgjatë gjithë kësaj kohë ai ka qenë një ndër zërat më të fuqishëm të mazhorancës aktuale, dhe shpesh herë është akuzuar nga opozita si i përfshirë në afera kriminale, mes të cilave mund të përmendim atë të “Toyota Yaris”.

Aktualisht, Balla mban ende detyrën e kreut të grupit të PS në Kuvendin e Shqipërisë dhe drejtuesit politik të qarkut Fier.