Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit.
Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se çështja e papërmbushur është “tërheqja e njëkohshme e kryetarëve të komunave dhe njerëzve që ndodhen përreth ndërtesave të komunave”, duke ju referuar protestuesve serbë.
Reagime në Kosovë pas fjalimit të ministres Gërvalla
Përfaqësues të opozitës në Kosovë kritikuan fjalimin e ministres Gërvalla duke e cilësuar “të papërgjegjshme” deklaratën e saj për BE-në.
“Sa për referencë, ‘tigër prej letre’ i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, shkroi në rrjetet sociale nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
“Të mjerë dhe të rrezikshme” e ka cilësuar gjendjen diplomatike të Kosovës, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, shkroi mes tjerash se “më e pakta që do të duhej, është një deklaratë e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo që ka thënë Ministrja e Jashtme, nuk është qëndrim zyrtar i Republikës së Kosovës”.
Opozita e kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët, duke paralajmëruar veprime për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri të vendit. /VOA