MENU
klinika

Fokusi

Sot dhe nesër samiti i NATO-s në Lituani, ja çfarë do të diskutohet

10.07.2023 - 10:35

Këtë të hënë, liderët e vendeve të NATO-s, do të mblidhen në Vilnius për të trajtuar një sërë çështjesh, vetëm 32 km (20 milje) nga gardhi kufitar i Lituanisë me aleatin rus, Bjellorusinë. Në samit, i cili do të zhvillohet edhe përgjatë ditës së nesërme, do të diskutohen një sërë çështjesh, ku padyshim kryefjalë do të jetë lufta në Ukrainë, por edhe ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë në NATO, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.

Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid.

Për sigurinë e samitit më të madh të krerëve të shteteve dhe qeverive në historinë e Lituanisë, ushtria e saj dhe NATO po vënë në dispozicion 4000 ushtarë. Po të shtojmë policinë dhe shërbimet sekrete, atëherë në sigurinë e samitit janë angazhuar 12 mijë persona. NATO e ka kthyer Vilniusin në një kështjellë të mbrojtur nga armatime të avancuara për të mbrojtur presidentin amerikan Joe Biden dhe liderë të tjerë të aleancës.