Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier i shikon larg mundësitë e një zgjidhjeje për situatën në Veri. Në një deklaratë për mediat, pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Pejë, ambasadori amerikan theksoi para gazetarëve nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë. Hovenier ka refuzuar të flasë për caktim afatesh për shtensionim. Por ka thënë se e sheh me urgjencë këtë çështje.
“Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.
Për sanksionet e mundshme ndaj Serbisë, Hovenier ka thënë se duhet të flasë ambasadori amerikan në Serbi ose emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar. Megjithatë, ai ka vlerësuar se nuk është Kosova e vetmja përgjegjëse për tensionet. Ambasadori amerikan ka shprehur shqetësim për disa nga veprimet e Qeverisë në fund të majit.