MENU
klinika

Një hije po e përndjek kontinentin...

Pse kanë shpërthyer trazirat në Evropë?

13.07.2023 - 12:29

Një hije po e përndjek Evropën. Në Francë, Suedi, Gjermani, Belgjikë dhe madje edhe Zvicër, sundimi i ligjit po sfidohet nga sundimi i bandave. Të rinjtë e pakënaqur, të shkëputur nga shoqëria, nuk ndjejnë asgjë tjetër veçse një përbuzje nihiliste për të.

Temperaturat e larta dhe rrjetet sociale po krijojnë një verë shumë të nxehtë. Gjykuar nga ngjarjet e fundit në Paris dhe Stokholm, ky vit mund të jetë më i keqi i parë deri më sot në dekadat e fundit. Shtimi i dhunës së bandave, është i lidhur me emigracionin.

Evropa është treguar e paaftë ose e pavullnetshme për të kontrolluar fluksin e emigrantëve, disa prej tyre azilkërkues të vërtetë, ndërsa të tjerët janë thjesht oportunistë. Pavarësisht se kanë shpenzuar miliarda për projekte sociale, politikanët evropianë nuk ia kanë dalë që t’i përballojnë si duhet problemet e krijuara nga emigracioni.

Edhe samiti i fundit i BE-së mbi emigracionin në Bruksel javën e kaluar, përfundoi pa një deklaratë të përbashkët. Emanuel Makron nuk mori pjesë për shkak të trazirave që kanë përfshirë gjithë Francën, pas vrasjes nga një oficer policie të Nahel Merzouk, një i ri 17-vjeçar, në një zonë në periferi të Parisit.

Komisioni Evropian, i shurdhër ndaj shqetësimeve të votuesve, ka reaguar ndaj kolapsit de fakto të kufijve të BE-së, duke kërkuar që vende si Polonia, e cila i ka mbyllur kryesisht kufijtë e saj ndaj refugjatëve dhe nuk ka probleme me bandat e emigrantëve, të gjobite me 20.000 euro për çdo emigrant që refuzon të pranojë.

Franca po tërheq për momentin më shumë vëmendje, por dhuna në rrugët e saj nuk është një dukuri e veçantë. Suedia, dikur një shembull i shkëlqyer i një shoqërie mendje-hapur që mirëpriste emigrantët, është bërë sot një nga vendet më të dhunshme në Evropë, për shkak të përleshjeve të shpeshta me armë midis bandave kriminale.

Në Stokholm është aktualisht e rrallë të kalojë një natë pa ndonjë ngjarje të dhunshme. Policia vlerëson se në vend janë aktive më shumë se 50 banda, ku shumica e ka bazën tek komunitetet e emigrantëve. Gazetat suedeze i përshkruajnë ngjarjet më shumë si skenarë filmash, me bandat kundërshtare besnike të “Dhelprës Kurde” dhe “Grekut”, dhe dhunën e lidhur me hakmarrjet midis organizatave të botës së krimit.

Policia suedeze ka identifikuar mbi 31.000 persona që kanë lidhje me bandat. “Ne nuk jemi përballur kurrë më parë me një kriminalitet kaq të pamëshirshëm”- tha Anders Tornberg, drejtori i përgjithshëm i policisë në një intervistë të kohëve të fundit. Ligjet në Suedi janë shumë liberale për ata nën moshën 21 vjeç.

Një model që për Tornberg, është një ftesë e hapur për dhunën e bandave. “Modeli i organizimit në gjithë sistemin suedez të drejtësisë, nuk është i gatshëm të përballet me një kriminalitet kaq të gjerë”- thekson ai.

Për shembull, marrim një çështje gjyqësore të këtij viti:një azilkërkues adoleshent gjeti punë si vrasës me pagesë, vrau personin e gabuar dhe më pas u arratis. Duke qenë në Suedi, kërkesa e tij për marrjen e shtetësisë u miratua pasi ai iu shmang autoriteteve.

Ai u arrestua më vonë, por u dënua me vetëm 4 vjet burg, ose më saktë një formë modeste e izolimit. Duke qenë adoleshent, ai ka të drejtë të ketë qasje në internet, një dhomë teke dhe masa sigurie aq të dobëta sa të burgosurit mund të dalin herë pas here nga burgu për të riparuar dhëmbët tek dentisti.

Ai e përdori një rast të tillë për t’u çliruar brenda pak javësh nga dënimi i tij. Në valët më të fundit të emigracionit, Suedia ka lejuar akoma më shumë refugjatë dhe njerëz që pretendojnë se janë refugjatë, si pjesë e popullsisë, sesa çdo vend tjetër evropian. Dhe tani po përballet me pasojat.

Vitin e kaluar në Norvegji ndodhën 4 incidente fatale me armë, krahasuar me 63 të tilla në Suedi. Në Botkirka, në jug-perëndim të Stokholmit, një brez i ri mund të quhet i humbur për shkak të bandave, thotë Paulina Neuding, gazetare që po shkruan një libër mbi plagët sociale të Suedisë.

Shumë nga fëmijët në Botkirka, të cilët vijnë në shumicë nga familje emigrantësh, janë një pre e lehtë për t’u rekrutuar nga bandat. Por Suedia nuk është e vetme në këtë degradim. Në Bruksel pati javën e kaluar përleshje midis policisë dhe emigrantëve të zemëruar. Policia belge tha se arrestoi 64 persona.

Por më befasuese është përvoja e Zvicrës, një vend që nuk ka tradicionalisht lidhje me trazirat urbane. Javën e kaluar pati përleshje në Lozanë mes policisë dhe të rinjve. Të rinjtë hodhën gurë dhe shishe molotov ndaj oficerëve. Policia zvicerane arrestoi shtetas portugez, somalez, boshnjak, zviceran, gjeorgjian dhe serbë.

Në Gjermani, ku Angela Merkel hapi dyert për refugjatët që erdhën nga Lindja e Mesme, numri i veprave penale në 16 landet federale ka shënuar rekorde të reja. Pati një rritje me 12 për qind vetëm vitin e kaluar, teksa autoritetet regjistruan në total rreth 5.6 milionë krime. Përdhunimet, ngacmimet seksuale, dhe sulmet me pasoja fatale u rritën me më shumë se 20 për qind vitin e kaluar. Ndërkohë grabitjet u shtuan me 27 për qind. Në Francë, situata është aq e rënduar, sa që tani lajm përbën një natë pa trazira.

Kur përfundon një valë dhune, pasojat duken të shëmtuara:këtë herë pamë grabitjen e bizneseve në pronësi të hebrenjve dhe prishjen e një memoriali të Holokaustit. Por në Francë makinat digjen, policia sulmohet dhe dyqanet plaçkiten çdo ditë.

Në janar, një algjerian goditi me thikë 6 persona në Gare du Nord, ndërsa muajin e kaluar një azilkërkues sirian sulmoi me thikë njerëzit në një shesh lojërash në qytetin Anesi, duke plagosur 4 fëmijë të vegjël dhe dy të rritur.

Makron ka premtuar se nuk do të ketë “asnjë tabu” kur bëhet fjalë për rivendosjen e rendit, dhe u ka kërkuar rrjeteve sociale të censurojnë përmbajtjen. Censura është një armë e përdorur zakonisht nga regjimet totalitare, por Makron ka deri diku të drejtë.

Deri më tani, asnjë politikan në Suedi apo Francë nuk ka ofruar një zgjidhje të besueshme për këtë problem, sigurisht as Marin Lë Pen, nacionalistja e ekstremit të djathtë që është favorite për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Zemërimi me situatën në Suedi bëri që Demokratët e Suedisë, një parti populiste, të jenë sot pjesë e një koalicioni qeverisës.

Por edhe ata duken po aq pa ide. Nuk është çudi që partitë kundër emigracionit po ecin mirë në të gjithë Evropën. Partia e Lirisë në Austri, Vëllezërit e Italisë së Xhorxhia Melonit dhe Alternative für Deutschland në Gjermani, e cila muajin e kaluar fitoi për herë të parë zgjedhjet lokale, janë që të gjitha duke u rritur.

Zhan-Lyk Melensho, politikani i së majtës radikale në Francë, ka refuzuar të dënojë sjelljen e rebelëve, duke sulmuar policinë, dhe i ka përshkruar ngjarjet e fundit si një kryengritje kundër pabarazisë dhe racizmit. Sigurisht, është e lehtë që për këtë situatë t’i hidhet i gjithë faji udhëheqësve aktualë të Evropës.

Por nuk është tërësisht faji i tyre që kaq shumë të rinj të papunë, shumë të lindur nga prindër emigrantë, e kanë humbur besnikërinë ndaj vendeve të tyre. Lufta midis bandave të Suedisë mund të jetë përkeqësuar që nga vala e migrimit të vitit 2016. Por shumë prej të arrestuarve aktualisht janë të lindur dhe arsimuar në Suedi (për shembull “Dhelpra Kurde” është nga Upsala,  lindur nga prindër kurdë).

Dështimet e integrimit të emigrantëve po bëhen më se të dukshme. Kriza në mbarë Evropën është rezultat i dekadave i qasjes së mendimi të dëshiruar, se herët a vonë problemet e lidhura me migracionin do të zgjidhen vetë. Por Britania nuk do të tregohet e mençur nëse fërkon duart me mjerimin e Suedisë dhe Francës.

Sepse kaosi social është një dukuri ngjitëse. Trazirat e fundit në Francë, kaluan pa problem kufirin për në Bruksel, me popullatën e saj të të rinjve të zemëruar. Mund të duhet vetëm një shkëndijë për ta zhytur Britaninë në një “Ferr” të sajin.

Burimi: “The Spectator”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN