MENU
klinika

Revolucioni Francez

“Dita e Bastijës”, simboli i krenarisë dhe unitetit francez

14.07.2023 - 14:24

Më 14 korrik 1789, u zhvillua Revolucioni Francez.

Që prej agut, disa mijëra parisianë të vënë nën thundrën e pushtetit absolut, ngritën krye dhe vërshuan drejt Bastijës, simbolit të despotizimit.

Në kohën e sulmit, në këtë fortesë mesjetare që shërbente si burg, vuanin dënimin vetëm shtatë të burgosur. Megjithëkëtë, shtënia në dorë e Bastijës shënonte apogjeun e zemëratës popullore dhe kapitullimin e autoritetit mbretëror.

Prej këtu mori udhë revolucioni, i cili ka qenë referencë e përhershme e diskurit publik të derisotshëm: legjitimiteti politik buron nga pëlqesa e sovranit.

Në Francë, 14 korriku është festë publike dhe quhet “Dita e Bastijës”. Po ashtu, kjo datë përkon edhe me Festën e Federatës (1790), një manifestimi ushtarak të jashtëzakonshëm.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje madhore e cila kapërceu kufijtë e Francës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell në kujtesë vargje të poetit Andon Zako Çajupi, shkëputur nga poezia “Korriku”, të cilat dëshmojnë se Revolucioni Francez u ndie edhe në Shqipëri:

“…O korrik, O faqezjarr,

je dukur dhe luftëtar:

në Francë, kush nuk e di,

u ngre vëndi për liri”.