Po zhvillohet në Budapest turneu i mundjes “Polyak Imre dhe Varga Memoria”, ku marrin pjesë edhe dy përfaqësuesit e Shqipërisë. Dje, Islam Dudaev fitoi medalje bronzi për Shqipërinë, duke marrë vendin e tretë në peshën deri në 65 kilogramë.
Çeçeni i natyralizuar si shqiptar ishte i pafat në gjysmëfinale, teksa u eliminua nga amerikani Nicholas Boone Lee me rezultatin 6-4. Në ndeshjen për vendin e tretë, Dudaev fitoi pastër 11-5 kundër Alibek Osmonov.
Fillimisht sportisti u imponua ndaj argjentinasit Agustin Alejandro dhe më pas mundi në çerekfinale francezin Khamzat Arsemezouev. Vetëm vendi i tretë për Dudaev, që siguron një medalje për Shqipërinë.
Veç tij, në garë është edhe Zelimkhan Abakarov, që përfaqëson Shqipërinë në peshën deri në 61 kilogramë dhe është kampion i Europës.