Pas dy viteve hetime, prishjes së imazhit, karrierës dhe stresit, Benjamin Mendy është shpallur i pafajshëm nga Gjykata në Britaninë e Madhe për akuzat e përdhunimit. Mbrojtësi i Manchester City-t dhe kampioni i Botës me Francën tanimë është i lirë dhe pas një kalvari të gjatë nëpër seanca gjyqësore dhe ndalimi të lirisë, më në fund mund të marrë frymë i lirë.
Mbrojtësi akuzohej për përdhumin e një vajze dhe tentativën e përdhunimit të një tjetre brenda së njëjtës natë në apartamentin e tij luksoz me vlerë katër milionë paund. Veç tyre, ai kishte edhe shtatë akuza të ngjashme, por që në fund u rrëzuan nga Gjykata.
Prej marsit të 2021 ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare, teksa kontrata e tij me City-n u prish. Pas lirimit nga akuzat, shumë futbollistë kanë reaguar në mbështetje të tij.
Pogba dhe Depay kanë dhënë mesazhe për mbrojtësin 28-vjeçar, teksa pyesin se kush i kthen tanimë vitet e humbura dhe një karrierë të shkatërruar.
“Më në fund Mendy, të gjitha çështjet u arkivuan. Po tani çfarë do të bëjmë? Kush do ta ndihmojë vëllain tim që t’ia nisë edhe njëherë nga e para? Kush është përgjegjës për dëmtimin e imazhit? Si do t’ia bëjë që të marrë sërish në kontroll karrierën? Janë shumë vite sakrificë për t’u bërë një futbollist profesionist. Nuk kam preferuar të flas kurrë për Mendy, edhe pse disa herë kam komunikuar me të personalisht”, thotë Pogba.