Ekipet shqiptare që marrin pjesë në Kupat e Evropës po u japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjet e kthimit. Po cila është skuadra më favorite për të kaluar me sukses turin e parë? Duke iu referuar rezultateve të ndeshjeve të para, edhe pse pak kush e kishte menduar në fillim, është Egnatia më favorite nga ekipet e tjera.
Ai gol i Duamenës në sekondat e fundit të ndeshjes në Armeni ndaj Ararat, i afron rrogozhinasit për një tjetër sukses historik pasi fituan për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Egnatia do të presë armenët në “Elbasan Arena” dhe do të mjaftonte edhe një fitore minimale për të shkuar më tej, çdo barazim i çon në shtesë, pasi edhe sfida e parë përfundoi 1-1.
Duke iu referuar koeficientëve të vendosur nga ekspertët, Partizani dhe Tirana thuajse kanë të njëjtat shanse. Të kuqtë do të luajnë të martën ndaj BATE Borisov, me kampionët e Shqipërisë që kanë një favor të vogël, ndeshja e kthimit luhet në fushë asnjanëse, në Hungari, teksa e para në Tiranë përfundoi 1-1.
Ndërsa Tirana, që barazoi 1-1 në Air Albania, do të luajnë të enjten sfidën e kthimit me Dinamo Batumi në Gjeorgji. Bardheblutë kanë një precedent pozitiv, vetëm 3 vite më parë fitonin në këtë vend 0-2 kundër Dinamo Tbilisi.
Edhe Vllaznia frymëzohet nga përmbysja e para dy viteve ndaj Shiroki Brijeg, që edhe pse humbi 3-1 sfidën e parë, e përmbysi 3-0 në Shkodër. Kuqeblutë humbën po 3-1 këtë vit ndaj Linfield.