MENU
klinika

Festa e Shën Marenës

Ditë pelegrinazhi fetar, kulturor e turistik

17.07.2023 - 13:06

Sot në kalendarin e besimit ortodoks është festa e Shën Marenës, një festë e rëndësishme sidomos për të krishterët e zonave të Pogradecit, Korçës, Librazhdit e Elbasanit.

Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, ndodhen në veri të fshatit Llëngë, Pogradec. Ato konsiderohen ndër destinacionet kryesore të karakterit fetar, kulturor dhe turistik të Pogradecit.

Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qëndrore e kishës me një ikonostas druri 6 metra të gjerë dhe 4 metra të lartë. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpatarakut.

Të vendosura mes gjelbërimit të pyjeve, Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, mbrohen natyrshëm nga malet dhe grykat e thella, nëpër të cilat vërshojnë përrenjtë e Shkumbinit.

Kisha e Shën Marenës nuk vizitohet vetëm më 17 korrik. Pelegrinazhi drejt saj kryhet edhe në datën 30 korrik, sipas kalendarit të vjetër dhe sipas një tradite shumë-vjeçare. Kësaj kishe besimtarët ortodoksë i atribuojnë mrekulli. Sipas legjendës, gurët e shpellës pranë manastirit e kishës, sjellin mbarësi nëse mbahen në shtëpi. Ndaj historikisht banorët e kësaj treve kanë mbajtur në ambiente familjare gurë të marrë në këtë vend.

Kisha e rindërtuar në mesin e viteve 1700, gjendet 35 kilometra larg qytetit të Pogradecit.