Kryeministri shqiptar, Edi Rama do t’i mbledh sot në drekë liderët e vendeve të rajonit në një takim jozyrtar. Atje nuk do të shkojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kur u raportua se zëvendësin e tij, Besnik Bislimi s’e pranuan të merrte pjesë në këtë takim, nga zyra e zëvendëskryeministrit thanë se ai s’e ka pasur në plan të shkonte.
Liderët e Ballkanit Perëndimor do ta zhvillojnë një takim jozyrtar në Tiranë me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Pasi s’e priti në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të shkojë as në Tiranë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Kurti e ka njoftuar Ramën se “nuk do të mund të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë”.
Mediat shqiptare raportuan se në këtë takim, Kosova do të përfaqësohej nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Pak më vonë, abcnews.al raportoi se Bislimit i është komunikuar se “niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me postë të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit”.
Këto i mohoi Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvëndëskryeministrit Bislimi. Tha se raportimet për pjesëmarrjen e Bislimit nuk ishin të vërteta dhe se ai s’ka planifikuar të shkojë në atë takim.
“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij”, shkroi Kadiu në Facebook.
“Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, shtoi ai.