MENU
klinika

Çfarë ka ndodhur më herët?

Analiza e REL: Çtensionimi në veri, “në gjysmë të rrugës”

18.07.2023 - 14:46

Hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, rajon i banuar me shumicë serbe janë ata që negociatorët kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit duhet t’i diskutojnë në një takim në Bruksel, më 19 korrik.

Nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe takimin, edhe pjesëmarrjen e të dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimit nga Kosova dhe Petar Petkoviçit nga Serbia.
Të hënën, derisa disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor janë takuar në Tiranë me komisionarin e BE-së për zgjerim, Oliver Varheyli, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në ishullin grek të Kretës, për një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor. Atje, ai është takuar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndërsa në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se “moti ka qenë më i ngrohtë sesa biseda e tyre”.

Qëndrimi i Kurtit për çështjen e veriut të Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka distancuar atë nga partnerët e tij evropianë, por Qeveria e tij përsërit se “Kosova do ta përmbushë atë për të cilën është pajtuar” dhe se “do të vazhdojë të jetë konstruktive në takimin e radhës në kuadër të dialogut”.

Kështu thuhet në përgjigjen që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës të hënën.

Çfarë ka ndodhur më herët?

Më 10 korrik, Lajçak dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, kanë konfirmuar se në një takim në Bratisllavë kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri.

Një ditë më vonë janë prezantuar edhe hapat konkretë, të cilët parashikojnë tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në fund të verës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Nga kabineti i kryeministrit të Kosovës thonë se tani i takon Serbisë të shprehë qëndrimet e saj për këtë çështje.

“Sidoqoftë, ne besojmë se [Beogradi] duhet ta ndalë qasjen e tij destruktive dhe fushatën e frikësimit të serbëve të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Deri më tani, Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse kjo marrëveshje për shtensionim është e pranueshme për të, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bëhet fjalë për një “mashtrim” të vendeve perëndimore.

Çfarë është bërë deri tani dhe cilët janë hapat e ardhshëm?

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se, javën e kaluar, 25 për qind e Policisë së Kosovës është reduktuar nga dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Policia ka qenë e pranishme në objektet komunale që nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë kanë hyrë në zyra, me gjithë kundërshtimet e popullatës lokale serbe. Kurti ka thënë më 12 korrik se 25 për qind e policëve nuk po tërhiqen nga veriu, por vetëm nga dhe rreth ndërtesave komunale dhe se ata do të vendosen në lokacione të tjera.

Hapa të ardhshëm për shtensionimin e situatës duhet të jenë takimi në kuadër të dialogut dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Megjithatë, që zgjedhjet të jenë të suksesshme, është e nevojshme pjesëmarrja e serbëve të Kosovës. Ata i kanë bojkotuar zgjedhjet e fundit në prill, me ftesë të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – Listës Serbe. Kjo parti, e cila ka mbështetjen e Beogradit, deri më tani, nuk është deklaruar për marrëveshjen për shtensionim të situatës dhe as për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe BE-së me pyetjen nëse Serbia pritet të ndërmarrë ndonjë hap për shtensionimin e situatës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje në të njëjtat pyetje nuk ka kthyer as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

A ka shtensionim pa zgjedhje?

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, vlerëson se pyetja nuk është nëse Kosova dhe Serbia do të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit, por kur do ta bëjnë këtë. Ai beson se Kurti dhe Vuçiç, me zvarritjen që bëjnë, “blejnë kohë”, deri në “qartësimin e situatës gjeopolitike, për shkak të luftës në Ukrainë”.

Megjithatë, shton Hoti, shtensionimi i situatës në veri nuk ka alternativë dhe tani hapi kryesor është sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e parakohshme lokale.

“Nuk do të ketë zgjedhje nëse nuk ka garanci nga bashkësia ndërkombëtare se serbët do të marrin pjesë në to. Besoj se kësaj radhe do të ketë organizim më të mirë dhe do të sigurohet pjesëmarrja e tyre”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Pse është i diskutueshëm vullneti politik për shtensionimin e situatës?

Dushan Janjiç, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se praktika ka treguar se, deri më tani, janë gjetur zgjidhje për kriza të ndryshme në kuadër të dialogut në nivel teknik, por se më pas, sipas tij, ka munguar vullneti politik i dy udhëheqësve për zbatimin e atyre zgjidhjeve. Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në nivel të lartë politik aktualisht e udhëheqin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Thelbi i problemit është vakumi i sigurisë dhe institucional, i cili është krijuar kur përfaqësuesit e komunitetit serb janë larguar nga institucionet e Kosovës. Mosangazhimi në këtë drejtim flet për pamundësinë për t’i bindur të dyja palët për një marrëveshje”, thotë Janjiç.

Serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së kryeministrit Kurti për t’i riregjistruar makinat me targa të lëshuara nga Serbia në Kosovë. Prej asaj kohe, ndërmjetësuesit e vendeve perëndimore janë marrë kryesisht me tejkalimin e krizave. E fundit, e cila ka shpërthyer në fund të majit, është përshkallëzuar në dhunë, pasi protestuesit serbë janë përleshur me përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin