Kërcënim që “i tundi themelet” qeverisë serbe, “Serbia kundër dhunës” në Novi Sad nuk do të jetë më njësoj. Opozita ka vendosur të ndryshojë formatin e mbajtjes së protestës dhe siç ka sqaruar për “Blic” sekretari i Komitetit të Qytetit “Together”, Mladen Cvijetiç, kjo do të ndodhë shumë shpejt, që këtë të premte. Megjithatë, polemika të shumta kanë qarkulluar ditëve të fundit lidhur me protestat, madje qeveria e vendit, me në krye Aleksandër Vuçiç, mendoi se po shpëtonte prej këtij rreziku, pas thashethemeve se protestat do të bënin pushim, por shpresat u shuan shpejt.
Fundi i protestave
“Protestat do të ndalen”, kështu shkruante portali “021.rs”, duke bërë të ditur se opozita e Novi Sadit kishte vendosur të ndërpriste mbajtjen e protestës në qytet. Siç shkruante media serbe, vendimi ishte marrë të martën në një takim të përfaqësuesve të opozitës dhe lëvizjeve civile që ishin organizatorët teknikë të tubimeve të mëparshme. Sipas 021.rs, Partia Demokratike, Zajedno, Partia Popullore, Qendra e Serbisë -SRCE, Partia Liri dhe Drejtësi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, Lëvizja për Revolucion, Ura e Solidaritetit, Aksioni Rinor Studentor – OSA dhe Nova kishin votuar për ndërprerjen e tubimeve. “Takimi i anëtarëve të opozitës ishte i shkurtër dhe më së shumti u reduktua në votim për përfundimin e protestës. Disa opozitarë deklaruan se kjo mund të jetë vetëm një “pushim veror për pushime vjetore”, dhe se protestat duhet të vazhdojnë në vjeshtë, por deri në fund nuk është marrë një qëndrim i përbashkër rreth fundit të protestave”, shkruante “021.rs”. Sipas portalit serb, shkaku ishin kushtet atmosferike si dhe “energjia e qytetarëve ka rënë”.
“Truku” i qeverisë
Megjithatë, ky u duk se ishte një tjetër truk, i qeverisë serbe. Lajmi u mohua shpejt nga Sekretari i Komitetit të Novi Sadit të partisë Zajedno Mladen Cvijetiç. Në një deklaratë të re, Cvijetiç dënoi ashpër “një përpjekje të disa burimeve anonime për të komprometuar protestën në Novi Sad, dhe për rrjedhojë të gjithë opozitën civile që e organizon atë”. “Deklarata e atij burimi paraqet një grusht shteti klasik brenda opozitës së Novi Sadit. Nuk është e vërtetë që organizatorët në Novi Sad kanë marrë vendim për përfundimin e protestës, por vendimi është që protesta të vazhdojë në një format tjetër, me aksione, shfaqje dhe bllokada të ndryshme, të cilat mund të mos përfshijnë gjithmonë vetëm bllokime rrugësh” ka thënë Cvijetiç. Kryetari i Zajedno, Nebojsha Zelenoviç, pas kësaj deklarate, tha se lajmet për pauzë deri në vjeshtë janë “spin mediatik”. “Nëse është dikush që i frikësohet protestave për momentin, është qeveria. Dhe ata do të bëjnë gjithçka që munden për të larguar njerëzit nga rrugët dhe për të ndaluar protestat. Ajo që ata bënë është vetëm një përpjekje tjetër për të reduktuar protestat në atë qytet”, tha Zelenoviç.
Protesta e gjashtë
Pas këtyre mohimeve, partia Zajedno njoftoi se opozita e Novi Sadit do të organizojë një protestë të premten në ora 11:00, për të shënuar përvjetorin e dhunës ndaj qytetarëve në atë vend. Audiencës do t’i drejtohet Bojan Blagojeviç, profesor nga Departamenti i Filozofisë në Fakultetin Filozofik në Nish, si dhe Milica Markoviç, studente e diplomuar në Departamentin e Komunikimit dhe Gazetarisë të atij fakulteti. Pjesëmarrësit e protestës “Serbia kundër dhunës” kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të promovimit të mëtejshëm të dhunës në media dhe hapësirën publike, largimin e Këshillit REM, mbylljen e mediave të shkruara dhe tabloideve që promovojnë urrejtje dhe dhunë dhe dhunojnë vazhdimisht kodin e gazetarisë. Kërkesat përfshijnë konfiskimin e frekuencave kombëtare nga televizionet që promovojnë dhunën, si Pinka dhe Happy TV, dhe anulimin e menjëhershëm të programeve që nxisin dhunën, imoralitetin dhe agresionin në televizionet me frekuencë kombëtare. Shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Bratislava Gashiç dhe drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vulin, dhe thirrja urgjente e seancës së Kuvendit të Serbisë, ku të diskutohet për përgjegjësinë e qeverisë dhe situatën e sigurisë në vend janë kërkuar gjithashtu.