Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë më 17 tetor 2023 një miqësore kundër Bullgarisë. Kanë qenë miqtë ata që kanë konfirmuar miqësoren, teksa dueli do zhvillohet në “Air Albania”.
Trajneri Sylvinho do përfitojë nga data e lirë e FIFA, me FSHF-në që ka rënë dakord me homologët bullgarë për një miqësore në Tiranë. Dueli me Bullgarinë do zhvillohet pesë ditë pas ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Çekisë, që luhet më 12 tetor në Tiranë.
Kjo do të jetë hera e 11-të që dy përfaqësueset ballkanase do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën Shqipëria dhe Bullgaria janë përballur jo vetëm ‘miqësisht’, por edhe në ndeshje të vlefshme për kualifikuese të Kampionatit Europian, eliminatore të Kampionatit Botëror, por edhe për Kupën Ballkanike.
Miqësorja pritet t’i shërbejë trajnerit për të parë lojtarët që nuk kanë shumë minuta në këmbë, teksa pas këtij dueli tanët rikthehen në fushë në muajin nëntor me dy ndeshjet e fundit për grupin E kualifikues të Euro 2024, kundër Moldavisë (17 nëntor në transfertë) dhe Ishujve Faroe (më 20 nëntor në Tiranë).
Kombëtarja shqiptare mori dy fitore në grupin E kualifikues të Euro 2024 gjatë qershorit, duke mbajtur vendin e dytë në grup me gjashtë pikë, një më pak se Çekia.