Komisioni i Pavarur i Kualifikiimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin, Fatos Qato. Qato u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak se ishte kandidat i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përmes shortit të hedhur në fund të vitit 2017. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfaqësohej në këtë proces nga Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari dhe Brunilda Bekteshi.
Fatos Qato ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor në Shqipëri. Ai e ka filluar detyrën në vitin 1994 dhe për më shumë se 15 vjet ka qenë anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
KPK tha se hetimi administrativ për Qaton është bërë vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas KPK, ILDKPKI raporton se Qato ka deklarim të saktë, nuk ka mungesë burimesh financiare, nuk ka fshehje apo deklarim të rremë.
Pasuritë e tij janë një apartament 144 m2 në Tiranë, blere në 1997 28 mijë USD, pjesë takuese 50 %. Është hipotekuar 20 vjet më vonë. KPK deklaroi se subjekti ka deklaruar si burim të ardhurat nga kursime familjare si dhe ndihmesë nga prindërit.
KPK ka konstatuar se subjekti nuk kishte depozituar dokumentacion për të ardhurat e tij dhe bashkëshortes për vitet 1983-1993. KPK gjithashtu ka konstatuar mungesë të burimeve financiare për blerjen e apartamentit.
Subjekti ka pohuar se nuk e ka përfshirë në deklarimin e vitit 2003 ndihmesën e dhënë nga prindërit e bashkëshortes, pasi e kishte për herë të parë dhe nuk e kishte të qartë si ta plotësonte. Po kështu gjyqtari ka deklaruar shtëpi banimi në pronësi të bashkëshortes, përfituar në 2005 me kontratë dhurimi, pjesë 50 %.
Një tjetër pasuri është një automjet “Renault” blerë me leasing 28 mijë 500 euro.
KPK ka deklaruar se banka ka konfirmuar këtë kontratë me qira financiare, por sipas KPK në vitin 2012 kur është porositur kjo pasuri, dy bashkëshortët nuk kanë pasur pasurinë e nevojshme.
Në të njëjtin vit bashkëshortja ka blerë një tokë arë 108 mijë lekë në Pogradec. Sipas KPK rezulton se çmimi për tokën arë ishte 264 mijë lekë.
KPK tha se po në këtë vit subjekti ka kryer shpenzime si likuidimi i një qiraje financiare për një mjet tjetër, likuidimi i kontratës se mjetit “Renault”, shpenzime për shkollimin e djalit, shpenzime për udhëtime jashtë shtetit (konfirmuar në Tims).
Sipas llogaritjeve është minus 2 mln lekë vlera e pamundësisë për të mbuluar shpenzimet.
Shpenzimet për shkollimin e tre fëmijëve janë në shuma 14, 7 dhe 3 mijë euro.