MENU
klinika

“Komisioni bipartizan nuk ka prodhuar asnjë rezultat”-

BIRN: Reforma zgjedhore në ‘pikën zero’

21.07.2023 - 18:31

Komisioni bipartizan për reformën zgjedhore nuk ka prodhuar asnjë rezultat për një vit e gjysmë, ndërsa një kërkesë për shtyrjen e mandatit nuk u hodh në votim në seancën e fundit parlamentare pas kundërshtimit të opozitës.

Mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord të premten që të shtyjnë sërish afatin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi opozita kërkoi që të gjendej një konsensus i ri për funksionimin e tij, një vit e gjysmë pasi grupi bipartizan i punës nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

Një kërkesë për shtyrje të afatit, e firmosur nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj nuk u hodh në votim në seancën e fundit plenare të këtij sesioni që përfundoi të premten në mëngjes, pasi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se tre grupet parlamentare të opozitës nuk ishin dakord.

“Të tre grupet e opozitës kërkojnë modus veprimi se si ta çojmë përpara reformën zgjedhore,” tha Bardhi në sallën e Kuvendit, duke shtuar se: “nuk ka asnjë shkak të arsyeshëm për të shtyrë e shtyrë pa punë këtë komision”.

Komisioni i Posaçëm u ngrit në shkurt 2022, por ka bërë vetëm dy mbledhje deri më tani. Pavarësisht mungesës së produktit, Kuvendi i ka dhënë atij mandat të ri çdo 6 muaj.

Bardhi deklaroi komisioni “ka dështuar të përmbushë detyrën që i ka caktuar Kuvendi”, ndërsa shtoi se në 6 muajt e fundit nuk është mbledhur asnjë ditë. Ai i propozoi mazhorancës që në shtator të gjendet një mënyrë si të çohet përpara reforma, duke propozuar rikonceptim të punës së komisionit.

Kërkesa e tij u kundërshtua fillimisht nga deputeti socialist, Toni Gogu, sipas të cilit nuk mund të lihej Kuvendi pa këtë komision dhe kërkoi që të votohej zgjatja e mandatit në mënyrë të njëanshme.

Por Bardhi kundërshtoi duke i kujtuar se reforma është një proces që kërkonte konsensus politik.

“Për turpin tuaj dhe tonin, Parlamenti ka qenë pa këtë komision dhe ka bërë vetëm 2 mbledhje duke bllokuar reformën zgjedhore,” tha ai.

Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri pretendoi se komisioni ishte funksional dhe kërkoi zgjatjen e mandatit për të mos u kthyer siç tha ai “në pikën zero në shtator”.

“Komisioni nuk mund të rrijë peng i mosmarrëveshjeve mes opozitës,” shtoi Gjiknuri, duke aluduar se opozita kërkonte të ndryshonte kryetarin e saj në komision.

I pyetur nga BIRN nëse PD do të kërkonte ndryshimin e përfaqësuesve të saj në këtë komision apo do të kërkonte një mekanizëm të ri për reformën, Bardhi tha “të gjitha opsionet janë të hapura”.

Komisioni për reformën zgjedhore u ngrit me vendim të Kuvendit me datë 10 shkurt 2022, por nuk arriti të ketë asnjë produkt real pune në tre mandate 6-mujore. Dy bashkëkryetarët, Damian Gjknuri nga PS dhe Enkelejd Alibeaj nga PD, nuk kanë dhënë arsye objektive për mosfunksionimin e tij.

Komisioni ka si objektiv realizimin e ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor duke u bazuar në rekomandimet e fundit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Raporti përfundimtar i monitoruesve të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për abuzime me pushtetin gjatë fushatës, ndërsa Partia Demokratike u kritikua për ngritjen e “strukturave paralele” të mbrojtjes së votës./BIRN

"Tregojini me votë se duhet të largohen njëherë e mirë"

Rama sulmon opozitën nga Londra dhe u bën thirrjen emigrantëve

"I dërguan ftesë ambadadorit tonë për të marrë pjesë në takimin e tyre, por…"

Rama tregon prapaskenat nga Londra: PD nxit akte antishqiptare në tokë të huaj

"Një grup të vebrish të nxitur nga të verbrit në Tiranë"

Turi me diasporën në Londër/ Rama iu përgjigjet protestuesve

Pse administrata ‘Trump’ nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës

Gjikondi: Taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme