MENU
klinika

Ndërprerja e marrëveshjes së Grurit në Detin e Zi nga Rusia

“Shumë njerëz në mbarë botën mund të vdesin nga uria”

21.07.2023 - 18:37

Pas ndërprerjes së marrëveshjes së drithit në Detin e Zi, shefi i Ndihmës së OKB-së ka paralajmëruar se shumë persona në mbarë botën mund të vdesin si pasojë e urisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave shefja e çështjeve politike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, i ka thënë Këshillit se sulmet ruse në portet detare të Ukrainës, do “të kenë ndikime të gjera në sigurinë ushqimore globale, në veçanti, në vendet në zhvillim”.

Ajo gjithashtu i cilësoi kërcënime të papranueshme deklaratat nga Moska dhe Kievi për të shënjestruar anijet civile në ujërat e Detit të Zi.

“Çdo rrezik i përhapjes së konfliktit si rezultat i një incidenti ushtarak në Detin e Zi, qoftë i qëllimshëm apo aksidental, duhet të shmanget me çdo kusht, pasi kjo mund të rezultojë në pasoja potencialisht katastrofike për të gjithë ne”, tha ajo.

Këshilli prej 15 anëtarësh, i cili përfshin edhe Rusinë, po takohet në Nju Jork për të diskutuar tërheqjen e Moskës nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB në fillim të kësaj jave.

Shefi i ndihmës i OKB-së ka paralajmëruar gjithashtu se fundi i marrëveshjes së grurit mund të çojë në vdekje të shumta njerëzish, pasi frika mbi ndikimin në sigurinë globale të ushqimit vazhdon.

“Disa do të mbeten të uritur, disa do të vdesin nga uria, shumë mund të vdesin si rezultat i tërheqjes së Moskës nga marrëveshja”, paralajmëroi Martin Griffiths.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do të ndihmojë në përhapjen e sëmundjeve"

Fenomeni El Ninjo do të shkatërrojë prodhimet bujqësore