MENU
klinika

Tragjedia në Gramsh

Shefi i zjarrfikëses: Babai dhe djemtë kanë mbytur njëri-tjetrin!

22.07.2023 - 09:21

Ilir Llapushi, shefi i zjarrfikëses së Gramshit ka dhënë detaje nga ngjarja tragjike e ndodhur pasditen e djeshme, ku babai me dy djemtë adoleshentë dhe një kushëririn e tyre janë mbytur në basenin e hidrocentralit të Banjës.

Duke folur për mediat në mesnatë, Llapushi ka thënë se të katër viktimat nuk kanë ditur not dhe në tentativë për të shpëtuar, kanë tërhequr njëri-tjetrin duke u mbytur.

Madje, shefi i zjarrfikëses është shprehur se noti në basenin e hidrocentralit të Banjës në Gramsh është i ndaluar, pasi që nga koha e ndërtimit të tij kanë mbetur të hapura disa gropa, të cilat tashmë janë kthyer në thithëse.

“Babai me dy djemtë kanë ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri – tjetrin. Të katërt nuk kanë ditur not dhe kanë mbytur njëri-tjetrin. Këtu për fat të keq ka pasur disa gropa që janë në kohën kur është ndërtuar HEC-i. Ata janë gropa të menjëhershme dhe viktimat nuk e kanë ditur”,  është shprehur Llapushi.

Viktimat janë identifikuar si: babai Arben Zogu dhe dy djemtë e tij Ruben dhe Esti Zogu, përkatësisht 19 vjeç dhe 14 vjeç, si dhe kushëriri i tyre, Melsi Zogu 20-vjeç. Ata kishin shkuar për t’u larë në basenin e hec-it rreth orës 15.00 të pasdites së djeshme, por fatkeqësisht nuk janë kthyer më në shtëpi.

I pyetur nga gazetarët se përse nuk kishte tabela paralajmëruese në zonë, Ilir Llapushi ka shtuar “Liqeni është i thellë i gjithë, dihet  që nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not, nuk vihen tabela.”

Shefi i zjarrfikëses ka shtuar më tej se zakonisht ata patrullojnë rreth liqenit për të kontrolluar vijën e tij, si dhe pë të mos lejuar banorët të futen për tu larë, mirëpo fatkeqësisht në atë moment nuk ishin ndodhur atje.

“Ne e patrullojmë zonën, por për fat të keq nuk erdhëm. Këtu nuk ka rojë, nuk duhet  të lahet njeri. Asnjë që nuk di not nuk duhet të futet të lahet, sidomos nëpër liqeni, sepse ata janë më të rrezikshëm”, është shprehur Ilir Llapushi, shefi i zjarrfikëses së Gramshit.

© Credits Te drejtat e pamjeve nga Abc News Albania ne Youtube

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN