Ka nisur procesi i votimit në Bashkinë e Rrogozhinës, ku rreth 33 mijë qytetarë të Rrogozhinës pritet t’i drejtohen sot qendrës së votimit, pas shpalljes së pavlefshme të zgjedhjeve të 14 majit, ku 2 kandidatët Edison Memolla i PS e Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë” kanë një shans të dytë për t’u besuar nga qytetarët.
Burime për Panorama bëjnë me dije se procesi i votimit ka nisur por në dy qendra jo, pasi komisioneret kanë shkuar me vonesë.
Kujtojmë se janë 54 qendra votimi deri më tani, në të cilat, 32 mijë e 826 qytetarë do të drejtohen, nga ora 07:00-19:00 dhe ndryshe nga 14 maji, do të kenë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun, ku po njëjtë si në zgjedhjet vendore, i pari në fletën e votimit do të jetë i renditur kandidati socialist Edison Memolla dhe numrin 2 do ta mbajë Shkëlqim Hoxha. Shpresat për këtë të fundit janë shtuar, pasi në këto zgjedhje nuk do të votojnë të burgosurit, që në zgjedhjet e fundit vulosën fitoren e Edison Memollës.
Në KQZ ka mbërritur një kërkesë nga burgjet për votimin e 89 të burgosurve që gëzojnë të drejtën e votës në institucionin e burgut “Kosova”, por afatet nuk premtojnë, e për sa kohë nuk ka një vendim nga Bashkia e KZAZ-ja, në burg nuk do të ngrihet një qendër votimi.
Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues, por me ankesë të koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Kolegji Zgjedhor vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet pas një sërë shkeljesh.