Monedha Europiane Euro këtë javë shënoi dhe pikën më të ulët në histori përballë lekut!
Në një prononcim për “Ora News” eksperti i Ekonomisë Igli Tola thekson se situata është sa shqetësuese aq edhe e rrezikshme për ekonominë shqiptare.
Sipas tij në këto kushte edhe e ardhmja e euros në vendin tonë, duket se është e paqartë!
Sa i përket arsyeve të rënies drastike të monedhës së euros, Tola nuk ka dyshim se ekonomia informale është një ndër arsyet kryesore të kësaj situate.
Igli Tola: “Absolutisht fenomen i këtyre luhatjeve unë do të thoja i muajve të fundit, pasi nuk është thjesh sezoni turistik që ka nxitur këtë zhvlerësim të të gjitha monedhave të referencës përkundrejt monedhës së lekut.
Në gjykimin tim ky është një moment rrezikshmërie për stabilitetin ekonomik për vendin tonë, duke pasur parasysh që ekonomia jonë është një ekonomi e vogël, e hapur dhe në presionin e luhatshmërisë kaq të lartë që është probaliteti i rriskut, ku rrisku i kursit të këmbimit është një nga elementet bazë, ndikon në të gjithë zinxhirin dhe në të gjitha hallkat e tjera të ekonomisë.
Për të folur më pas se sa dëm apo pasojash shkakton, duhet të flasim për aktorët ekonomikë një e nga një, ku normalisht ndër humbësit kryesorë janë ato sektorë që përbëjnë pjesën më të madhe të qarkullimit ekonomik në vendin tonë.
Por forcimi i lekut ndaj monedhave të huaja, kryesisht asaj evropiane ndikon negativisht edhe në raportin apo bilancin tonë tregtar, pasi produktet dhe shërbimet tona shqiptare i bën më të shtrenjta në tregun ndërkombëtar. Pra kjo prek apo impakton negativisht edhe eksportet.
Ndërkohë edhe në tregun vendas nuk është se po shikojmë një zbutje apo presion ekonomik negativ ndaj çmimeve, sa i përket importeve të produkteve vendase.
Kjo edhe për shkak të problemeve që ne patëm nga kriza e luftës në Ukrainë, ku u panë problemet e mëdha me inflacionin e lartë, të cilat ende vijojnë të jenë prezente këto valë inflancioniste.
Pra unë mendoj se problematika e shkaktuar nga kursi i këmbimit është një hallkë shtesë që i shtohet këtyre problemeve që ekonomia jonë ka”.
Por, për ndryshimin e valutës kombëtare shprehet kundër eksperti i ekonomisë Igli Tola, i cili thotë se ka më shumë anë negative se sa positive.
Disa ditë më parë Banka e Shqipërisë u shpreh se nuk mund të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor për shkak të kompetencave të saj, ndërkohë që institucionet shtetërore kanë thënë se kjo situatë lidhet me fuqizimin e ekonomisë vendase!