MENU
klinika

Më pak se një muaj nga fillimi i kampionatit

Ku i gjen FSHF paratë për transmetimin?

23.07.2023 - 16:54

Federata Shqiptare e Futbollit thotë se do të prodhojë vetë sinjalin e transmetimit dhe më pas do t’ia ofrojë këtë kompanisë që do të fitojë ankandin. Mirëpo këtu ka diçka që duhet sqaruar dhe natyrisht klubet janë të parat që do të duhej të ngrinin zërin. Sa është kostoja për të siguruar sinjalin e transmetimit?

Pra, sa para do të harxhojë FSHF për të prodhuar vetë sinjalin? Ku do t’i gjejë këto para: do të prekë buxhetin vjetor për futbollin? Do t’i marrë nga ndonjë organizëm ndërkombëtar (UEFA ose FIFA)? Apo do t’i llogarisë këto kosto te çmimi dysheme që do të vendosë për shitjen e së drejtës TV? Ndoshta do të duhej të sqaroheshin klubet në radhë të parë dhe më pas opinioni publik se çfarë kostosh ka kjo iniciativë e federatës dhe si do gjenden paratë.

E DYTA – Shqipëria është ndër rastet e rralla, kur më pak se një muaj nga fillimi i kampionatit ende nuk është përcaktuar se kush do ta transmetojë atë.

Duke parë problemet e hasura në dy vitet e fundit kur transmetimi është “spostuar” në dy platforma të ndryshme dhe është folur hapur për mosrespektim të kritereve financiare të kontratës, atëherë lind pyetja: a ka bërë ndonjë studim FSHFja se cila është kërkesa e publikut në raport me çmimin që pretendojnë klubet?

Fjala vjen: në Tiranë ka “x” abonentë që paguajnë vetëm për Superioren, në Korçë ka “y” abonentë, në Shkodër “z” abonentë, etj… Po ndonjë llogari për diferencën mes asaj që paguan sponsori i përgjithshëm i Superiores për një ndeshje dhe çmimit për ndeshje që paguan një platformë ose televizioni që merr përsipër t’i transmetojë, a është bërë? Janë disa pyetje në fakt që do të duhet të diskutoheshin shumë kohë më parë, por që ende hanë debat.