E marta do të jetë dita e fundit dhe piku i tretë i valës së nxehtë të Cerberus që ka përfshirë për kohësh vendin tonë. Ky është parashikimi i Meoteoalb.
Në një lidhje live për News24, Lajda Porja tha se duke nisur nga e mërkura, temperaturat do të ulen 6-7 gradë Celsius, por sot parashikohen temperatura ekstrem në disa zona të vendit.
“Sot dhe nesër janë ditët e fundit ku do të japin frymë temperaturat e larta. Dita e martë është kulmi i fundit i kësaj vale. E kishim paralajmëruar se do të ishte nga fundi i korrikut, por vetëm në dy zona, Elbasan dhe Berat, Belshi dhe Cërriku që do të jenë deri në 42 gradë, ndërsa zonat e tjera me temperatura më të ulëta. Bregdeti rreth vlerës 38 gradë dhe juglindja 37 gradë. Në ditën e mërkurë, do kemi 6-7 gradë rënie, ku do të ndihet rënia e temperaturave”, tha Porja.
Gjithashtu sinoptikani, Akil Osmani deklaroi dje se maksimumet mund të arrijnë në 41 apo 42 gradë celsius, në qarkun e Elbasanit dhe të Beratit.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në rubrikën “Opinion” në News24 foli për temperaturat e larta në vend duke këshilluar që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në orët e pikut.
Gjatë bisedës në studio Brataj tha se sidomos mosha e tretë janë të rrezikuar nga temperaturat e larta, ndërsa shtoi se është e domosdoshme që në këtë situatë qytetarët të konsumojnë rreth 2 litra ujë në ditë.
“Çdo temperaturë mbi 30 gradë në hije është e rrezikshme. Është e domosdoshme që të kufizohet dalja në orët e pikut”, u shpreh ai.
Gjithashtu Brataj tha se edhe të rinjtë dhe po ashtu edhe ndaj fëmijëve duhet të tregohet kujdes në këtë sezon të nxehtë veror.
“Nga data 17 e deri sot janë 2715 vizita të bëra në banesë, po ashtu edhe shumë konsulta telefonike. Ne kemi mjekë që bëjnë edhe konsulta mjekësore përveç urgjencës. Nëse mjeku ka dyshimin më të vogël për rrezik jetë, dërgon ekipin në vendngjarje. Gjatë stinës së verës shtohet koordinimi dhe forcat në vend”, ka thënë ndër të tjera ai.