Gbolahan Mustapha është futbollisti më i ri i Kukësit në Superligë. Pas problemeve të presidentit Safet Gjici me drejtësinë dhe zërave për shitjen e klubit, verilindorët kanë filluar lëvizjen për sezonin e ri, teksa në stol do jetë Rraman Hallaçi.
Pas firmës me Plarent Fejzaj, Blerim Sahitaj, Mario Beshiraj dhe Francesko Hasaj, tanimë Kukësi ka firmosur për dy sezone me 22-vjeçarin nigerian. Mesfushori-sulmues ka luajtur vetëm në vendlindje me Remo Stars dhe nuk dihet nëse do përshtatet me futbollin tonë.
“Futboll Klub Kukësi njofton se mesfushori Gbolahan Mustapha është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti 22-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin tonë një kontratë për 2 sezone , duke u bërë futbollisti më i ri në skuadër”, njoftojnë verilindorët.
Klubi i Kukësit prej ditësh vijon stërvitjen, ndërsa pritet që të ketë shumë afrime në merkato, edhe për faktin se gjatë verës u larguan shumë futbollistë.