Ka përfunduar mbledhja online e Këshillit Kombëtar të PD e thirrur nga Gazment Bardhi, e cila zgjati rreth një orë.
Në këtë mbledhje u morën disa vendime të rëndësishme, ku kryesorja ishte anulimi i zgjedhjeve për kryetarin e PD në datën 29 korrik.
Mbledhja nisi pas plotesimit te kuorumit, pasi prezent ishin 245 anëtarë nga 226 që duhet për t’u mbajtur Keshilli Kombetar.
SHTYHET VENDIMMARRJA PËR CAKTIMIN E DREJTUESIT TË PARTISË
Pas relatimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Këshilli Kombëtar ka konstatuar dhe pranuar dorëheqjen e datës 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha; dhe dorëheqjen e datë 17 Maj 2023 të Nënkryetari të Partisë Demokratike z. Enkelejd Alibeaj.
Ndërkohë, u shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimin mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme.
DY DITË PARA ZGJEDHJEVE, KËSHILLI KOMBËTAR I PD ANULLON ZGJEDHJET PËR KRYETARIN TË 29 KORRIKUT
Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur të anullojë zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023, duke e konsideruar procesin antistatutor dhe fars.
KËSHILLI KOMBËTAR PEZULLON NGA FUNKSIONI KRYESINË E PARTISË DEMOKRATIKE
Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kuorum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë.
Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anuluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj.
KËSHILLI KOMBËTAR NGARKON NJË GRUP DEPUTETËSH TË KËRKOJNË ÇREGJISTRIMIN E LULZIM BASHËS NGA REGJISTRI I PARTIVE POLITIKE
Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar cdo akt që bie ndesh me vendimin.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata.