Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një letre publike drejtuar Kryeministrit Dimitar Kovaçevski e ka informuar atë se ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke ushtruar.
Ahmeti në letër thekson se dorëheqjet, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita do të votojë ndryshimet kushtetuese.
Letra Ali Ahmetit drejtuar Kryeministrit
I nderuar Kryeministër, Dimitar Kovaçevski, duke vlerësuar se vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjendet në një fazë kritike të së ardhmes sonë evropiane, duke patur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do ti votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria, duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë, duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese. Tetovë, 30 korrik 2023.
Kryetari i VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, pas një takimi që pari me Kovaçevskin më 7 qershor deklaroi se “VRMO-ja është e gatshme të mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse do të formohej një qeveri e re, pa BDI-në, si dhe nëse ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian”.